Punimet për ndërtimin e rrugës unazore në Junik po vazhdojnë, ndërsa projekti me vlerë mbi 437 mijë euro financohet plotësisht nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit me Komunën e Junikut. Sipas njoftimit, projekti përfshin disa faza të punimeve infrastrukturore, duke nisur nga gërmimet dhe punët e betonit, deri te ndërtimi i kanaleve dhe vendosja e gypave.
Po ashtu, në kuadër të projektit parashihen asfaltimi i rrugës, ndërtimi i ujëmbledhësve, vendosja e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe instalimet elektrike, përfshirë ndriçimin sipas standardeve evropiane. “Angazhimi ynë për zhvillimin e komunave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve vazhdon!”, thuhet në njoftim.
Në njoftim nuk janë bërë të ditura afati i përfundimit të punimeve dhe data kur rruga pritet të vihet në shfrytëzim. / Telegrafi
