NPL “Përparimi” në Vushtrri u ka bërë thirrje bizneseve që të ndalojnë hedhjen e mbeturinave në pikat e kontenierëve të dedikuara për banorët e ndërtesave kolektive, duke paralajmëruar masa ndaj atyre që vazhdojnë këtë praktikë.
Në një njoftim, kjo ndërmarrje ka thënë se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me mirëmbajtjen e rendit dhe pastërtisë në hapësirat e përbashkëta. Sipas NPL “Përparimi”, disa biznese po i ngarkojnë pikat e grumbullimit të mbeturinave të banorëve, pavarësisht shërbimeve që ndërmarrja thotë se ua ofron rregullisht.
“Është e papranueshme që, përkundër shërbimeve të rregullta që NPL ‘Përparimi’ u ofron bizneseve, disa prej tyre të mos tregojnë përgjegjësi dhe të ngarkojnë pikat e grumbullimit të mbeturinave të banorëve, duke krijuar vështirësi dhe pakënaqësi për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja u ka kërkuar bizneseve që menjëherë ta ndalojnë këtë praktikë dhe të sigurojnë menaxhimin e duhur të mbeturinave të tyre, në përputhje me rregullat dhe obligimet ligjore. NPL “Përparimi” ka paralajmëruar se ndaj bizneseve që nuk e respektojnë këtë kërkesë do të ndërmerren masa përmes Inspektoratit dhe institucioneve të tjera kompetente.
“ NPL ‘Përparimi’ nuk do ta tolerojë këtë dukuri. Ndaj çdo biznesi që vazhdon me këtë veprim do të ndërmerren masa përkatëse përmes Inspektoratit dhe institucioneve të tjera kompetente ligjore”, thuhet në njoftim. Përveç kësaj, ndërmarrja ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike veprimet e bizneseve që vazhdojnë të hedhin mbeturina në pikat e dedikuara për banorët.
“Për çdo biznes që vepron në këtë mënyrë, do t’i bëjmë publike veprimet e pahijshme dhe praktikat e tij joetike. Transparenca dhe përgjegjësia janë thelbësore!”, thuhet në fund të njoftimit. Ndërmarrja ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi nga bizneset, me qëllim të ruajtjes së pastërtisë dhe krijimit të një ambienti të shëndetshëm për qytetarët. / Telegrafi
