Qendra për Informim dhe Përmirësim Social bashkë me GLPS-në ka dorëzuar kërkesën për themelimin e Qendrës Post traumatike tek Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje e Vlerat e Luftës. Të njëjtit paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa tjerë ligjor nëse kërkesa nuk shqyrtohet me seriozitet.
Sipas OVL-UÇK-së ndihma ka qenë moti e nevojshme sepse ka pasur edhe raste të vetëvrasjeve për shkak të traumave. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej kur u miratua Ligji për Veteranët e i cili ndër të tjera parashihte edhe themelimin e Qendrës Posttraumatike. Por, për këtë të fundit ndër vite s’u mor asnjë hapë.
Kësisoj, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social bashkë me GLPS-në, ka dorëzuar tek Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, kërkesën për themelimin e kësaj qendre.
“Fakti që kanë kaluar mbi 10 vjet dhe nuk ka pasur asnjë inicativë as nga Ministria e Shëndetësisë e as nga Mirëqenia Sociale që janë të përfshira si përgjegjëse në këtë ligj na ka shty neve që tash me ju drejtu kuvendit, komisioni përkatës që ato me i kërku llogaridhënie këtyre ministrive”, ka deklaruar Bind Skeja, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.
Skeja pati një paralajmërim nëse kërkesa nuk shqyrtohet. “Unë nuk e besoj që ka ndonjë arsye që Ministria e Shëndetësisë apo e Punës me refuzu e vetmja që mundet me ndodh është se munden me zhagit si proces por ne bashkë me GLPS-së kemi me i qëndru afër edhe nëse Kuvendi nuk e trajton me seriozitet atëherë do t’i shohim rrugët tjera ligjore”, ka theksuar ai.
Që themelimi i kësaj qendre është shumë i nevojshëm, vlerësojnë edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës. ‘Po kemi pas raste edhe të vetëvrasjeve të veteranëve prandaj kjo kishte me qenë shumë e mirë me u marr me këtë çështje me trajtu dhe me iu ndihmu veteranëve”, ka theksuar Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
OVL këtë herë ka pritshmëri edhe nga institucionet. ‘Jam i bindur që nuk duhet me has në rezistencë, jam i bindur që shteti duhet me mirëpritë këtë”, ka deklaruar ai. Në një përgjigje për televizioni nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë ndërsa Ministria për Mirëqenie sociale nuk ka kthyer përgjigje
