Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në futbollin amerikan, duke dëshmuar se edhe në moshën 39-vjeçare mbetet një prej futbollistëve më të veçantë në botë. Ylli argjentinas shkëlqeu të shtunën mbrëma në fitoren 3-1 të Inter Miamit ndaj Atlanta United, duke realizuar dy gola dhe duke e çuar në 25 numrin e golave të shënuar këtë sezon në Major League Soccer (MLS).
Kjo ishte hera e parë që Messi luante në “Mercedes-Benz Stadium” që nga gjysmëfinalja e Kupës së Botës 2026, kur Argjentina mposhti Anglinë. Përveç golave, Messi regjistroi edhe një tjetër arritje historike. Me 25 gola dhe 15 asistime këtë sezon, ai u bë lojtari i parë në historinë e MLS-së që regjistron të paktën 15 asistime në tri sezone radhazi. Messi on the break 1v1? Good luck.
Leo has his brace. 🇦🇷 https://t.co/CoI15KzLpw — Major League Soccer (@MLS) October 18, 2026 Në golin e parë, argjentinasi mori topin në mesfushë dhe përshkoi me driblime pothuajse të gjithë gjysmën e fushës, përpara se të bashkëpunonte me një bashkëlojtar dhe ta përfundonte aksionin me një goditje të menjëhershme.
Ishte goli i tij i 24-të sezonal, ndërsa më vonë realizoi edhe të 25-in, duke e forcuar pozitën në krye të listës së golashënuesve. Paraqitja e tij e mahniti trajnerin e Inter Miamit, Kily Gonzalezin, i cili nuk i fshehu emocionet kur foli për yllin që ka në skuadër. “Nuk mund ta besoj që ky njeri bën gjëra të tilla në moshën 39-vjeçare.
Ajo që më bën më të lumtur është se ai është i lumtur. Kur është i lumtur, ai luan në këtë mënyrë dhe e shijon futbollin. Sa herë që e shoh, buzëqesh”. Trajneri argjentinas vazhdoi me fjalë të mëdha për kapitenin e skuadrës së tij, duke theksuar se Messi vazhdon ta befasojë në çdo paraqitje dhe në çdo seancë stërvitore. “Çfarë admiroj tek ai? Gjithçka.
Është një lojtar që nuk ndalet kurrë së të befasuari. Për mua, ai është një jashtëtokësor”. “Është një lojtar që më mahnit me çdo veprim dhe në çdo stërvitje që e shikoj. Me ndihmën e Zotit, ai do të vazhdojë të na mahnitë deri në ditën kur të vendosë të pensionohet”./ Telegrafi
