Bradley Barcola ka folur për dallimet mes futbollit në Ligën Premier dhe atij që luante te Paris Saint-Germaini nën drejtimin e Luis Enrique, duke vlerësuar se në Angli loja është më pak e ngarkuar taktikisht.
Anësori i Liverpoolit po përpiqet të përshtatet me kërkesat e futbollit anglez pas transferimit të tij nga PSG-ja, ndërsa ka theksuar se te klubi francez trajneri Luis Enrique kërkonte zbatim shumë të saktë të detyrave taktike dhe lëvizjeve në fushë. “Po përpiqem të përshtatem, sepse është shumë ndryshe nga Paris Saint-Germaini. Liga Premier është ndryshe.
Më duket se është më pak taktike”. “Në çdo rast, ne te PSG-ja kishim një trajner shumë, shumë taktik, ndërsa këtu më duket se ka më pak kërkesa të tilla dhe më pak ndryshime gjatë lojës”, ka deklaruar Barcola për “Telefoot”.
Futbollisti francez ka shpjeguar se nën drejtimin e Luis Enrique duhej të ndryshonte vazhdimisht pozicionin dhe mënyrën e lojës, në varësi të lëvizjeve të bashkëlojtarëve. “Me trajnerin tim të mëparshëm duhej të futesha në qendër, të luaja në krah, ndërsa dikush tjetër vinte në pozicionin tim. Këtu është krejt ndryshe”, ka shtuar ai.
Barcola ka regjistruar së fundmi kontributin e tij të parë në gol në Ligën Premier që prej transferimit te Liverpooli, në një marrëveshje që raportohet të ketë kushtuar 140 milionë euro. Të shtunën, francezi asistoi për golin vendimtar të Alexander Isakut, duke ndihmuar Liverpoolin të fitojë 2-1 ndaj Brentfordit./ Telegrafi
