Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka deklaruar se do të ishte “një gabim i plotë, një gabim i madh” nëse SHBA-ja do të kufizonte qasjen e Ukrainës në sistemet satelitore dhe inteligjencën që i nevojiten për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Në një intervistë për BBC -në, Crosetto paralajmëroi se çdo veprim i tillë nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, “nuk ka absolutisht asnjë kuptim” dhe rrezikon ta zgjasë pushtimin e plotë rus, në vend që të ndihmojë në arritjen e paqes.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se Trumpi nuk ka kërkuar ngadalësimin e shpejtësisë së internetit që SHBA-ja i ofron Ukrainës dhe që është jetik për përpjekjet e saj në luftë. Trumpi gjithashtu ka mohuar se SHBA-ja ka ndërprerë ndarjen me Ukrainën të paralajmërimeve të hershme për sulmet ajrore ruse që po afrohen.
Deklaratat e Crosettos vijnë në një kohë kur Italia po ashpërson kritikat ndaj SHBA-së. Në fillim të kësaj jave, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cilësoi marrëveshjen e Trumpit për blerjen e naftës dizel nga Rusia si një “zgjedhje shumë të rrezikshme”, duke thënë se ajo do t’i “jepte legjitimitet Rusisë”, ndërsa kjo e fundit vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase.
Trumpi e arriti marrëveshjen me presidentin rus, Vladimir Putin, duke fajësuar sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse për rritjen e çmimeve të karburanteve. Meloni, e cila dikur konsiderohej aq e afërt me presidentin amerikan saqë ishte cilësuar si “përkthyesja e Trumpit”, tha se kjo lëvizje bie ndesh me përpjekjet për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave.
“Paqja do të vijë kur Putini të bindet se ka një ngërç dhe se nuk mund të përparojë më tej”, deklaroi ministri i saj i Mbrojtjes për BBC-në, në ndërtesën e ministrisë në Romë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
