Forcat amerikane shkatërruan një anije tradicionale të lidhur me Iranin në Gjirin e Omanit më 6 tetor, pasi konstatuan se ajo po kryente aktivitete vëzhgimi dhe po merrte në shënjestër anijet luftarake të Marinës së SHBA-së.
Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, njoftoi të mërkurën Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), duke shtuar se ekuipazhi i anijes ishte evakuuar në mënyrë të sigurt para shkatërrimit të saj.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, CENTCOM tha se anija ishte përfshirë në aktivitete vëzhgimi dhe shënjestrimi të drejtuara ndaj anijeve detare amerikane që operonin në rajon. “Më 6 tetor, forcat amerikane shkatërruan një anije të lidhur me Iranin që po kryente vëzhgim dhe po merrte në shënjestër anijet e Marinës së SHBA-së në Gjirin e Omanit”, tha CENTCOM.
Komanda ushtarake konfirmoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit ishin larguar në mënyrë të sigurt nga anija para se ajo të shkatërrohej. Ajo shtoi se po punohej për riatdhesimin e ekuipazhit, pa specifikuar numrin e personave në bord apo kombësitë e tyre.
Komanda gjithashtu akuzoi Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) se kanë marrë vazhdimisht në shënjestër anije civile dhe ushtarake në ujërat rajonale gjatë shtatë muajve të fundit.
“Gjatë shtatë muajve të fundit, [IRGC] ka vazhduar të marrë në shënjestër pa dallim mijëra marinarë civilë që kalojnë nëpër ujërat rajonale, krahas anijeve luftarake të Marinës së SHBA-së”, ka thënë më tej CENTCOM. Incidenti ndodh në një kohë tensionesh të shtuara lidhur me sigurinë detare në rajonin e Gjirit, ku anijet tregtare dhe ato ushtarake janë përballur me kërcënime ndaj lundrimit.
Gjiri i Omanit lidh Detin Arabik me Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore me rëndësi strategjike përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e dërgesave globale të naftës.
