Pesë kisha dhe organizata të krishtera në Zvicër kanë miratuar dhjetë parime etike për përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), duke theksuar se zhvillimi teknologjik duhet të jetë në shërbim të mirëqenies së njerëzve dhe të së mirës së përbashkët.
Udhëzimet , të publikuara nën titullin “Njerëzimi në epokën digjitale”, synojnë të ndihmojnë institucionet fetare dhe organizatat që të përballen me sfidat e përdorimit të IA-së. Ato vënë theksin te transparenca, verifikimi i informacionit dhe sigurimi që të gjithë njerëzit të mund të përfitojnë nga përparimi teknologjik, shkruan Nzz.ch .
Nismës i janë bashkuar Kisha Ungjillore e Reformuar e Zvicrës, Konferenca e Ipeshkvijve të Zvicrës, Freikirchen.ch, Kisha Katolike e Vjetër e Zvicrës dhe Aleanca Ungjillore Zvicerane. “ Përparimi teknologjik është i mirë vetëm nëse u shërben të gjithëve”, deklaroi Frank Bangerter, ipeshkëv i Kishës Katolike të Vjetër të Zvicrës, transmeton Telegrafi.
Ai theksoi rëndësinë e vëmendjes së veçantë ndaj personave që rrezikojnë të mbeten pas si pasojë e zhvillimeve teknologjike. Ndërkohë , edhe Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për vendosjen e rregullave të rrepta ndërkombëtare për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Ai ka paralajmëruar për rreziqet që kjo teknologji mund të paraqesë për bashkëjetesën njerëzore, por njëkohësisht ka theksuar edhe mundësitë që ajo ofron.
