Gërmimet arkeologjike në Akropolin e Butrintit kanë hyrë në një fazë të re, pasi për herë të parë në historinë e kërkimeve shkencore në këtë qytet antik, po studiohet muri rrethues i qytetit të sipërm. Parku Kombëtar i Butrintit ka njoftuar se gërmimet synojnë të zbardhin fazat e ndërtimit të fortifikimeve dhe organizimin urban të qytetit në periudha të ndryshme historike.
Hulumtimet zhvillohen në kuadër të projektit “Topografia Urbane e Butrintit në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetë”, i ndërmarrë nga Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave, me mbështetjen financiare të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Sipas arkitektes, dr.
Nevila Molla, projekti synon të identifikojë fazat e ndërtimit të mureve të Akropolit dhe të krijojë një pasqyrë më të qartë të organizimit topografik të qytetit të sipërm dhe atij të poshtëm.
Aktualisht, puna arkeologjike është përqendruar në njërën prej kullave të fortifikimit të Akropolit, ku janë zbuluar shtresa të ndryshme arkeologjike, të akumuluara nga Antikiteti i Vonë deri në Mesjetën e Vonë.
Të dhënat stratigrafike që do të sigurohen nga këto gërmime pritet të ndihmojnë në përcaktimin e kohës së ndërtimit dhe përdorimit të mureve, si dhe në kuptimin e ndryshimeve urbane të Butrintit gjatë shekujve V-XV të erës sonë. Butrinti, i vendosur në jug të Shqipërisë, pranë Sarandës, është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të vendit.
Qyteti ka një histori të gjatë, që nis nga periudha parahistorike dhe vazhdon përmes zhvillimeve greke, romake dhe bizantine. Ai është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992, për shkak të vlerave të tij të jashtëzakonshme historike dhe kulturore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
