Edhe pse Dinamo kontrolloi topin me një përqindje të lartë, nuk vlejti për asgjë, pasi “blutë” e kryeqytetit u mposhtën 0-1 nga Vllaznia. Pas ndeshjes, foli për mediat trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja: “Nuk zgjidhëm mirë strategjinë e Vllaznisë me mbrojtjen në gjysmëfushën e vet. Na penalizuan veprimet e numrave 8 tonë. Për 5-6 ditë kemi ndeshjen e radhës.
Kur gjen një kundërshtar që tërhiqet në 1/3 e fushës, një nga mundësitë për të shënuar ishte me goditje. Vllaznia ishte më luftarake se ne. Në një terren të mirë me lagështirë, duhet një dozë sakrifice. Goli bëhet edhe me sakrificë. Ne nuk bëmë sa duhet me sulmuesit dhe numrat 8 për të prishur ekuilibrin e Vllaznisë.
Malomo me Vilën duhet të ishin më afër Berishës dhe Rubenit, për të kërkuar thellësinë dhe për të shfrytëzuar numrat 8. Nëse do të shkonim drejt krahëve me mbrojtësit anësorë, duhet të popullonim zonat, gjë që nuk e bëmë. Kur mbrojtja e tyre qëndronte poshtë, njëri nga sulmuesit duhet të bënte rolin e numrit 10 për të prishur ekuilibrin.
Do të isha i kënaqur që lojën ta fitonim me sakrificë, tani që terrenet janë të vështira, edhe pse thashë se sot ishte terren i mirë.”
