Largimi nga Milani dhe rikthimi në Gjermani po del të jetë lëvizja e duhur për Christopher Nkunku. Sulmuesi francez ka gjetur përsëri formën e tij më të mirë te Leipzig. Ndryshe nga edicioni i kaluar në Serie A ku shënoi vetëm 7 gola në 32 ndeshje me Milanin, Nkunku e ka nisur këtë sezon në mënyrë të jashtëzakonshme, duke realizuar 4 gola në vetëm pesë javët e para të Bundesligës.
Francezi ishte ylli i mbrëmjes në fitoren e thellë të Leipzigut 6:0 në shtëpi përballë Eintracht Frankfurtit. Ai e nisi mecin me gol që në minutën e 5-të pas asistimit nga Antonio Nusa, duke dyfishuar avantazhin e skuadrës pas vetëm pesë minutave lojë.
Nkunku nuk u ndal me kaq, pasi realizoi edhe dy herë të tjera brenda tri minutave në fund të pjesës së parë (41′ dhe 44′), për të kompletuar tregolëshin e tij personal dhe për ta mbyllur pjesën e parë me shifrat 4-0. Në pjesën e dytë Leipzig realizoi edhe dy gola të tjerë për të vulosur fitoren 6-0. Kujtojmë se Nkunku është i huazuar te Leipzig me të drejtë blerjeje për 28 milionë euro.
Nëse vazhdon me këtë ritëm fantastik, klubi gjerman me siguri do të paguajë shumën e kërkuar nga Milani për të blerë përfundimisht kartonin e tij.
