6 pikë dhe vendi i parë në grup. Nuk mund të shkonte më mirë se kaq për Rolando Maran, i cili me të drejtë mund të “mburret” me dy ndeshjet e para në stolin e Shqipërisë, ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos.
Edhe pse duhet thënë se në letër është përballur me kundërshtarë lehtësisht të kalueshëm për nivelin që përfaqëson Kombëtarja, italiani ka dalë nga stadiumi duke futur në “xhep” maksimumin e pikëve. Diçka që nuk është arritur nga askush si ai deri më sot.
Kryesimi dhe momenti i duhur për të shfrytëzuar ndalesën e një kundërshtari direkt si Finlanda, e bën skuadrën tonë kombëtare të rikthehet te identiteti me të cilin jemi mësuar. Aksione të rrjedhshme, dëshirë për të luftuar në çdo top dhe sigurisht, “egoja” për maksimumin e pikëve.
Këtë e ka “injektuar” pikërisht, Rolando Maran, i cili edhe pse erdhi me shumë skepticizëm për të kaluarën e tij, ia ka dalë të fitojë besimin e të gjithëve për idetë dhe lojën. Krahas 6 pikëve, italiani ka dhe një bilanc shumë pozitiv në aspektin e golave. Plot 5 të shënuar dhe dy herë portat e paprekura.
Që do të thotë se Shqipëria e Maran, jo vetëm që nuk e njeh humbjen deri në këto momente, por ka edhe një “mur” që vështirë të kalohet. Kjo edhe për meritë të dy portierëve, Etrit Berisha dhe Alen Sherri. Përballja me Finlandën mund të jetë i vetmi “test” i vërtetë për Maran në stolin e Kombëtares, por në këto çaste, statistikat anojnë nga italiani.
