Kongresisti amerikan, Gregory Meeks, vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të forta me SHBA-në dhe mbështetjen për integrimin e saj në institucionet euroatlantike. Ai këtë qëndrim për Kosovën e paraqiti në takimin me përfaqësues të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane (AARC).
Në njoftimin e publikuar në Facebook, AARC njoftoi se në këtë takim u diskutua për Kosovën, Shqipërinë, Luginën e Preshevës dhe politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Meeks, i cili është anëtar i lartë i pakicës në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, riafirmoi mbështetjen për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
