​Dita e dytë e Festivalit të filmit sjell histori të veçanta nga

0%

Dita e dytë e Festivalit të 6-të të Filmit Sportiv “Prishtina 2026” solli në ekran histori që lidhen me tejkalimin e sfidave, përfshirjen në sport dhe rolin e tij në përballimin e paragjykimeve.

Programi në Kino ABC nisi me dokumentarin “Sara”, që rrëfen historinë e futbollistes së re Sara Bulliqi, e cila, pavarësisht se ka lindur pa një pjesë të krahut të djathtë dhe luan me protezë, është bërë pjesë e futbollit dhe ka arritur të luajë në nivel garues.

Para shfaqjes, nga Komiteti Olimpik i Kosovës foli Kushtrim Krasniqi, i cili e përshkroi Sarën si një shembull të tejkalimit të sfidave përmes sportit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Krasniqi: Sara ka arritur të jetë shumë e suksesshme në futboll “Sara, një vajzë 16-vjeçare, e cila përkundër sfidave të shumta jetësore ia ka dalë që të merret me sport, madje të jetë shumë e suksesshme në sportin e futbollit.” Vetë Sara Bulliqi, protagonistja e dokumentarit, foli për përvojën e saj dhe për njerëzit që e kanë ndihmuar gjatë rrugëtimit.

Sara: Shpresoj që filmi t’ju japë motiv të mos ndaleni kurrë “Kjo është thjesht një dokumentar i shkurtër që tregon sfidat gjatë jetës që i kam tejkaluar me njerëzit që i kam tejkaluar. Pikësëpari falënderoj Burimin dhe Ganimetën që më kanë përzgjedhur për ta treguar historinë time, familjen time normalisht, por më së shumti një falënderim ekipit tim.

Kanë qenë një pjesë shumë e madhe e jetës, ku besoj që shumicën e arritjeve të mia i kam bërë me ta. Shpresoj që kam me i pasë gjithë dhe shpresoj që ky film ju jep motiv që kurrë mos e u ndalni e me provu sende të reja gjithmonë.” Dokumentari është realizuar nga produksioni “Art Without Limit”, ndërsa producentja Ganimete Sava foli për mënyrën se si Sara e ka përjetuar realizimin e filmit dhe reagimet që ai ka marrë në festivale të ndryshme.

Sava: Sara është një yll që po ecën përpara “Dua të falënderoj Sarën, që ka qenë pjesë si një aktore, aq mirë dhe natyrshëm ka luajtur, sa që i kemi marrë të gjitha këto komente nga festivalet e ndryshme ndërkombëtare. Për krejt këto sa është motivuese, është edhe një vajzë e mrekullueshme. E përgëzoj edhe familjen e Sarës.

Sara është një yll që po ecën përpara.” Pas “Sarës”, programi vazhdoi me dokumentarin “Brezi i parë”, nga autorët Valdete Osmani dhe Enis Imeri. Filmi kthehet në historinë e grave dhe vajzave kosovare që nga vitet ’70, të cilat iu bashkuan basketbollit dhe hendbollit në kohën kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.

Përmes dëshmive të tyre, dokumentari sjell në vëmendje vështirësitë, represionin, paragjykimet dhe diskriminimin gjinor e kombëtar me të cilat u përball kjo gjeneratë. Autorja Valdete Osmani tha se puna në këtë dokumentar i ka dhënë edhe asaj një mundësi për të mësuar më shumë për një periudhë të rëndësishme të historisë së sportit kosovar.

Osmani: Ky dokumentar do të mbetet dëshmi për gjeneratat e reja “Unë jam shumë e lumtur që e kam bërë këtë dokumentar, sepse me të vërtetë kam mësuar shumë. Përveç që jam marrë shumë me histori, në anën tjetër kam mësuar edhe për ato vështirësi që i kanë kaluar në atë kohë.

Kështu që jam shumë e lumtur që në një mënyrë kam arritur të kontribuoj në historinë tuaj, po në të njëjtën kohë të mbetet si dëshmi për gjeneratat e reja.” Festivali vazhdoi më pas me programin ndërkombëtar, ku u shfaqën “The Dragon from Koseze”, “Running the Race: 100 Year Celebration of Olympic Champion Eric Liddell”, “Broken Kids: The Untold Story of Young Athletes” dhe “Arda Turan: Confrontation”.

Me këto shfaqje u përmbyll edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit Sportiv “Prishtina 2026”, i cili për dy ditë solli në Kino ABC histori të ndryshme nga sporti, duke e vendosur në qendër jo vetëm garën dhe suksesin, por edhe njerëzit, sfidat dhe rrugëtimin që fshihet pas tyre.

Burimi: Bota Sot