Bayern Munihu i ka nisur lëvizjet për ta blinduar të ardhmen e Michael Olises. Klubi bavarez pritet t’i zhvillojë në javët e ardhshme bisedimet e para me sulmuesin francez për zgjatjen e kontratës. Sipas “BILD”, Bayerni dëshiron t’i sigurojë për një periudhë afatgjate shërbimet e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Gjatë afatit kalimtar të verës, Olise u lidh fuqishëm me një transferim te Real Madridi, por Bayerni qëndroi i palëkundur në qëndrimin se lojtari nuk ishte në shitje dhe e refuzoi çdo ofertë apo kontakt. Edhe Liverpooli e ka në listën e objektivave francezin, pasi po e kërkon një lojtar të aftë për të luajtur në krahun e djathtë.
Olise aktualisht ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2029, por klubi gjerman dëshiron ta shpërblejë për paraqitjet e tij duke ia ofruar një marrëveshje të re dhe afatgjatë. 24-vjeçari është shndërruar në njërin prej lojtarëve të paprekshëm të Vincent Kompanyt. Në sezonin 2025/26, Olise i regjistroi 22 gola dhe 31 asistime në të gjitha kompeticionet.
Edhe në sezonin e ri ai ka vazhduar me të njëjtin ritëm, duke i shënuar 8 gola dhe dhënë 4 asistime. Sipas raportimeve nga Gjermania, drejtuesit e Bayern Munichut e kanë zhvilluar së fundmi një takim në Mynih me menaxherin e Olises, Glen Tweneboah.
Bayerni dëshiron ta zgjasë kontratën deri në vitin 2032, duke ia ofruar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të pagës, me synimin që Olise të bëhet njëri prej futbollistëve më të paguar të klubit, së bashku me Jamal Musialan dhe Harry Kanen. Megjithatë, pala e lojtarit ka një kërkesë të rëndësishme: përfshirjen e një klauzole lirimi në kontratën e re, me vlerë mbi 200 milionë euro.
Një klauzolë e tillë do t’ia jepte Bayernit një mbrojtje të madhe, ndërsa njëkohësisht do t’ia ofronte Olises një rrugë të përcaktuar për t’u larguar nëse në të ardhmen do të vendoste ta kërkonte një aventurë të re. Situata pritet të ndiqet me vëmendje, veçanërisht nëse Real Madridi rikthehet në garë për Olisen.
Francezi mund të joshet edhe nga mundësia për t’u bashkuar në Madrid me mikun dhe bashkëlojtarin e tij te Kombëtarja, Kylian Mbappé.
