Kosova synon bashkëpunim më të thellë me shtetet e Paqësorit

0%

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në Takimin e 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit (PIF), që po mbahet në Koror të Palaut nga 30 gushti deri më .

Sipas MPJD-së, pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum rajonal synon forcimin e marrëdhënieve me shtetet e Paqësorit, zgjerimin e angazhimit diplomatik të vendit në këtë rajon dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Gjatë qëndrimit në Palau, Konjufca pritet të zhvillojë takime me krerë shtetesh dhe qeverish, ministra të punëve të jashtme dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve pjesëmarrëse. Takimet dypalëshe dhe angazhimet në margjinat e samitit synojnë forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e Paqësorit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në kuadër të forumit do të diskutohen çështje si qëndrueshmëria ekonomike, ndryshimet klimatike, qeverisja e oqeaneve dhe peshkimit, siguria rajonale, reforma institucionale dhe forcimi i unitetit të vendeve të Paqësorit.

“Republika e Kosovës e njeh rëndësinë globale të prioriteteve të Paqësorit të Kaltër dhe është e gatshme që, në përputhje me kapacitetet e saj dhe nevojat e vendeve të rajonit, të kontribuojë në fusha si qëndrueshmëria klimatike, gatishmëria ndaj fatkeqësive, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e burimeve natyrore”, thuhet në njoftim.

Në fokus pritet të jenë gjithashtu bashkëpunimi në arsim, ngritja e kapaciteteve të sektorit publik, siguria, zhvillimi digjital dhe shkëmbimet ndërinstitucionale. Ndërkohë, një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe diplomacisë kulturore, bashkëpunimit akademik dhe kontakteve ndërmjet qytetarëve.

“Pjesëmarrja në Samitin e PIF-it pasqyron gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të zhvilluar një angazhim më të fuqishëm dhe afatgjatë me rajonin e Paqësorit, të mbështetur në respektin e ndërsjellë, interesat e përbashkëta, solidaritetin dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme” , theksohet në fund të njoftimit.

Burimi: Bota Sot