Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët, ku foli për situatën politike dhe zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit. Berisha akuzoi qeverinë se po përpiqet të bashkojë pushtetin shtetëror me atë partiak, ndërsa kritikoi mënyrën se si po menaxhohet situata e zjarreve.
Sipas Berishës, qeveria po shmanget nga qytetarët dhe protestuesit dhe po përballet me një situatë të vështirë politike. “Kjo parti siç e, siç konstatoni kalon nga një vilë e kuqe në një vilë tjetër të kuqe qeveritare për të faturuar këtu se shteti dhe partia janë një.” -tha kryedemokrati.
Berisha e cilësoi Partinë Socialiste si “partia e krimit” dhe pretendoi se pushteti ndodhet në panik dhe po shkon drejt shpërbërjes. Ai e vendosi këtë situatë në kontrast me zhvillimet brenda opozitës, ku sipas tij janë krijuar instrumentet për organizimin dhe modernizimin e partisë. “Në epiqendër të së cilës duhet të qëndrojë anëtari, iniciativa dhe hapësira e tij.
Në krahun e kundërt janë zhvillimet për partinë e krimit.”- u shpreh kreu i opozitës. Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua situatës së zjarreve. Berisha tha se flakët janë përhapur në disa zona të vendit dhe kritikoi autoritetet për mënyrën e reagimit ndaj emergjencës.
Ai vlerësoi ndërkohë punën e zjarrfikësve dhe punonjësve që po përballen me flakët, duke e cilësuar punën e tyre si një sakrificë në kushte të vështira. “Dua të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje për të gjithë ata heronj të zjarrfikësve, punonjës që përballen me flakët, për shërbimet që i bëjnë vendit, sakrificën e tyre në kushtet më të vështira.”- nënvizoi Berisha.
Berisha ngriti edhe një tjetër shqetësim lidhur me sigurinë e zjarrfikësve gjatë ndërhyrjeve. Ai dënoi atë që e përshkroi si sulme me armë ndaj ekipeve zjarrfikëse në disa zona të prekura nga zjarret dhe kërkoi vëmendje për sigurinë e punonjësve në terren. “Dënoj si aktet më kriminale breshëritë e trafikantëve kundër zjarrfikësve në një seri zonash të zjarrta.”- u shpreh ai.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, Berisha u ndal edhe te organizimi i opozitës dhe nevoja për ndryshime në komunikim e strukturat e saj, ndërsa vijoi akuzat ndaj qeverisë për mënyrën e ushtrimit të pushtetit.
