Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmë në fshatin Llabjan të Novobërdës, ku një 63-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga dy automjete, raporton Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 28 gusht, rreth orës , në magjistralen Gjilan–Prishtinë, afër “Viva Fresh Store”. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Halil Maliqi .
Sipas informacioneve të rastit, në aksident janë përfshirë dy automjete – një Volkswagen Golf, që në momentin e aksidentit drejtohej nga një zyrtar policor, si dhe një Volkswagen Caddy, që drejtohej nga një 40-vjeçar.
Goditja e parë dhe përplasja fatale Dyshohet se polici po lëvizte me Golf në magjistralen Gjilan–Prishtinë dhe, me të arritur në Llabjan, nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës. Në ato momente, 63-vjeçari po kalonte rrugën. Vetura dyshohet se e ka goditur këmbësorin dhe, nga fuqia e përplasjes, ai ka përfunduar në shiritin tjetër të rrugës.
Por tragjedia nuk përfundoi aty. Nga drejtimi i kundërt po vinte një VW Caddy, i cili më pas e ka goditur viktimën. Sipas të dhënave të rastit, pas goditjes së dytë, 63-vjeçari është tërhequr zvarrë për disa metra dhe ka mbetur për disa çaste nën automjet. Lëndimet e marra rezultuan fatale.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që të dy drejtuesit e automjeteve të ndalohen për 48 orë. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Halil Maliqit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e plotë dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej drejtuesve të automjeteve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
