Stuhi e fuqishme në Zvicër: Dhjetëra të lënduar, breshër deri në 6 cm

0%

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë të premten pjesë të mëdha të Zvicrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme nga breshëri, erërat e forta dhe reshjet intensive. Sipas transmetuesit zviceran SRF, në disa zona ranë kokrra breshëri me diametër deri në 6 centimetra , ndërsa në Schaffhausen u regjistrua një erë prej 142 kilometrash në orë .

Meteorologët e kanë cilësuar fenomenin si të pazakontë, duke thënë se një ngjarje e tillë me breshër në të njëjtin lokacion ndodh statistikisht vetëm një herë në 30 deri në 50 vjet. Stuhia shkaktoi dëme në disa kantone. Në Solothurn , policia pranoi rreth 290 raportime për dëme , kryesisht për hyrje të ujit në objekte dhe dëme të shkaktuara nga era.

Një grua 42-vjeçare në Erlinsbach u godit nga një pemë e rrëzuar dhe pësoi lëndime të rënda. Në Aargau , stuhia rrëzoi shtylla të linjave të tensionit të lartë, duke shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Në autostradën A1, një kamion u përmbys mbi një furgon, por drejtuesit e të dyja automjeteve shpëtuan pa lëndime. Edhe kantoni i Zyrihut u godit rëndë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

SRF raportoi se më shumë se 40 persona u lënduan nga breshëri , përfshirë fëmijë. Në disa raste u raportuan plagë në kokë dhe lëndime nga rrëzimet. Dëme të shumta janë shkaktuar edhe në automjete, ndërtesa dhe infrastrukturë. Sipas të dhënave të siguruesve të cituara nga SRF, vetëm Allianz Suisse vlerëson se stuhia mund të ketë shkaktuar mbi 10 mijë raste dëmesh në total.

Stuhia ndikoi edhe në trafikun ajror. Sipas Blick, 85 fluturime të Swiss nga ose drejt aeroportit të Zyrihut u anuluan, ndërsa rreth 11 mijë e 200 pasagjerë u prekën nga anulimet dhe vonesat. Stuhitë e fuqishme u shoqëruan edhe me ndërprerje të qarkullimit hekurudhor dhe përmbytje në disa zona.

SRF Meteo vlerëson se intensiteti i kësaj stuhie ishte i pazakontë për shkak të jetëgjatësisë së qelizës së stuhisë dhe breshrit të madh që përshkoi një pjesë të madhe të Zvicrës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com