Shefi i Shtabit të KFOR-it viziton Mitrovicën, flet për praninë dhe

0%

Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar pjesëtarët e KFOR-it që veprojnë në Mitrovicë, ku është informuar nga afër për angazhimet e tyre në këtë pjesë të vendit.

Gjatë vizitës, Daniels ka parë nga afër punën e Njësisë Speciale Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT), të cilat janë të angazhuara në mbështetje të misionit të KFOR-it në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.

“Personeli i MSU-së kontribuon në praninë e dukshme dhe të lëvizshme të sigurisë së KFOR-it dhe në gatishmërinë e tij, ndërsa Ekipet për Ndërlidhje dhe Monitorim mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën dhe në kuptimin e mjedisit të sigurisë”, ka thënë Daniels.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në Facebook, KFOR ka njoftuar se Daniels ka deklaruar se ajo që ka parë gjatë vizitës tregon mënyrën se si KFOR-i po përshtat qëndrimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet që konsiderohen më të rëndësishme për misionin.

Sipas tij, këto përfshijnë një prani të dukshme, ndërgjegjësim të fortë për situatën në terren, komunikim me të gjitha komunitetet lokale dhe forca të gatshme për të reaguar kur është e nevojshme. Daniels ka theksuar se çdo reagim i KFOR-it bëhet në përputhje me mandatin e misionit të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, KFOR-i ka bërë të ditur se procesi i optimizimit të qëndrimit të tij në Kosovë po vazhdon gradualisht dhe është i bazuar në kushtet në terren dhe në vlerësimet e vazhdueshme të situatës së sigurisë.

Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë personat që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

KFOR-i ka theksuar se këtë mandat e zbaton në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në kuadër të rolit të vet si pjesë e reagimit në fushën e sigurisë.

Burimi: Kallxo