Punimet u ndalohen 7 gurthyesve, 3 gjobiten me nga 7 mijë euro

0%

Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro për shkelje të evidentuara gjatë inspektimeve. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, përmes një postimi, ku ka njoftuar për masat e ndërmarra ndaj operatorëve që, sipas saj, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet ligjore.

Inspektimet janë zhvilluar në disa komuna të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Hanin e Elezit, Shtimen, Suharekën, Mitrovicën, Vitisë, Lipjanin dhe Prishtinën. Sipas Pacollit, procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në muajin mars. Në atë kohë, të gjithë operatorëve u ishte dhënë afat prej 15 ditësh për të dëshmuar se veprimtaria e tyre ishte në përputhje me ligjin dhe kriteret mjedisore.

Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës, i cili gjatë muajit prill është shqyrtuar nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria. Nga ky proces, sipas ministres, është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore. Vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pacolli ka thënë se Inspektorati i Mjedisit po vazhdon kontrollet në terren dhe se inspektimet do të zhvillohen edhe në ditët në vijim. “Ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin apo nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masat ndëshkuese”- ka deklaruar ajo.

Burimi: Kallxo