“Pretendime jashtëzakonisht të rënda”, BIK kërkon hetimin e

0%

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dalë sot me një deklaratë publike, duke thënë se me vëmendje dhe shqetësim ka përcjellë zhvillimet e ditëve të fundit, në një kohë kur në hapësirën publike janë shfaqur pretendime dhe qëndrime që prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturën e bashkëjetesës në vend.

Tërnava ka theksuar se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë materialet që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli dhe dokumentin e cilësuar në publik si “Top Secret”, ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës.

“Pikërisht për këtë arsye, u drejtohem qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të Republikës së Kosovës me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, thekson ai. Sipas myftiut Tërnava, kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të përmbajtjes së pretenduar të këtij dokumenti.

“Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në ‘Kandahar’.

Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda. Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, tha ai.

Në deklaratën e tij, Tërnava ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të paverifikuara.

“Po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.

Nëse një dokument i tillë është përdorur për të ndërtuar akuza apo për të ndikuar në opinionin publik, edhe kjo është çështje që meriton të sqarohet nga institucionet kompetente. Nuk kërkojmë trajtim të veçantë dhe as mbrojtje nga përgjegjësia institucionale. Kërkojmë vetëm që përballë nesh të qëndrojnë faktet dhe provat dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë.

Bashkësia Islame e Kosovës nuk kërkon përplasje me askënd dhe nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në një tjetër konflikt politik, fetar apo shoqëror. Ne kërkojmë që ajo të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave të ligjshme.

Po ashtu, kërkojmë që të ndalen fushatat dhe gjuhët që synojnë të njollosin Bashkësinë Islame të Kosovës, institucionet e saj, xhamitë, medresetë, hoxhallarët dhe udhëheqësit e saj. Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe prova dhe të trajtohet me përgjegjësi.

Institucioneve kompetente u bëjmë thirrje që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon, duke garantuar një proces profesional, të paanshëm dhe të bazuar në fakte.

Është e domosdoshme të zbardhet plotësisht autorësia dhe origjina e dokumentit, rrethanat dhe qëllimi i hartimit të tij, autenticiteti, mënyra e përdorimit dhe, mbi të gjitha, nëse dhe çfarë ndikimi ka pasur ai në zhvillimet shoqërore e institucionale në Kosovë”, thekson myftiu Tërnava.

Ndryshe, ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh. Sipas aktakuzës, Shehollit i është gjetur edhe një dokument që përmban një plan që synonte zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon. Prokuroria i referohet një dokumenti të emërtuar “Top Secret 2”, i cili përmban tekst në gjuhën serbe.

Prokuroria e cilëson dokumentin si material konfidencial dhe e përdor atë, së bashku me prova të tjera, për të mbështetur pretendimin për kontaktet e Shehollit me struktura të shërbimit informativ serb.

Sipas përkthimit të përfshirë në materialet e aktakuzës, dokumenti flet për përdorimin e operativëve në Kosovë dhe për grumbullimin e fondeve nga ambasada të vendeve islamike në Beograd, të cilat më pas do të investoheshin në ndërtimin e xhamive.

Në dokument përshkruhet se xhamitë duhej të ndërtoheshin në vende të dukshme, pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa në fshatra të mëdha numri i tyre duhej të shtohej. Një nga pjesët më të forta të dokumentit është formulimi: “Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar”.

Sipas dokumentit, në Kosovë duhej të krijohej një atmosferë që do t’i shtynte të rinjtë të largoheshin jashtë vendit, ndërsa të tjerët të orientoheshin më shumë nga feja. Në tekst pretendohet se një imazh i tillë do të ndikonte që fuqitë perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj Kosovës.

Më tej, sipas dokumentit, një ndryshim i tillë i perceptimit ndërkombëtar do të krijonte kushte që Kosova të kthehej nën juridiksionin e Serbisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com