PLD: Qeveria të mbajë përgjegjësi për glorifikimin e Ratko Mlladiqit

0%

Partia Liberal-Demokrate ka reaguar ashpër ndaj çdo forme të glorifikimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe hetim të mundshëm penal për rastin.

Nga PLD theksojnë se glorifikimi i një personi të dënuar për gjenocid nuk mund të justifikohet me dallime politike, kombëtare apo interpretime të ndryshme të historisë. “Ky nuk është çështje e qëndrimit politik, përkatësisë kombëtare apo interpretimit të ndryshëm të historisë.

Për gjenocidin nuk ka ‘anë tjetër të tregimit’ kur faktet janë përcaktuar me vendime të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e partisë. PLD e konsideron veçanërisht të papranueshme që një glorifikim i tillë të lidhet me persona që mbajnë funksione të larta shtetërore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Partia kërkon që Qeveria të distancohet menjëherë dhe publikisht nga veprimet e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, si dhe të përcaktojë përgjegjësinë politike.

“Maqedonia nuk mund të thirret para Brukselit në vlerat evropiane, ndërsa në vend Qeveria hesht kur funksionarët e saj marrin pjesë në glorifikimin e një personi të dënuar për gjenocid”, thekson PLD. Partia kërkon gjithashtu që të shqyrtohet edhe përgjegjësia eventuale penale.

Sipas PLD -së, neni 407-a i Kodit Penal sanksionon mohimin publik, minimizimin e rëndë, miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përmes një sistemi informativ, për çka parashikohet edhe dënim me burg.

Për këtë arsye, PLD kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike që, brenda kompetencave të tyre, me detyrë zyrtare të shqyrtojnë të gjitha publikimet, deklaratat dhe veprimet e lidhura me rastin dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, ligji të zbatohet pa përjashtim. “Funksioni shtetëror nuk guxon të jetë mburojë nga ligji”, porosit partia.

PLD kërkon edhe miratimin e një kuadri të plotë ligjor që do të ndalonte qartë glorifikimin, promovimin dhe afirmimin publik të personave të dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, si dhe promovimin e ideologjive fashiste, naziste dhe ideologjive të tjera totalitare e të dhunshme që nxisin urrejtje dhe jotolerancë.

Sipas partisë, një ndalim i tillë duhet të vlejë edhe për emërtimin dhe regjistrimin e shoqatave, fondacioneve, klubeve, organizatave, institucioneve publike, rrugëve, shesheve dhe manifestimeve publike, në mënyrë që ato të mos mund të mbajnë emra apo simbole që glorifikojnë persona, ideologji ose krime të tilla.

PLD thekson edhe rolin e arsimit në luftën kundër revizionizmit historik, duke kërkuar që gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të mësohen mbi bazën e fakteve historike dhe gjyqësore, pa relativizim apo mohim. “Një shtet evropian nuk ndërtohet me parulla evropiane, por me vlera evropiane. Respektimi i viktimave dhe dënimi i gjenocidit janë vijë e kuqe.

Nuk ka heshtje kur glorifikohen të dënuarit për gjenocid. Nuk ka relativizim të krimeve. Dhe nuk ka funksion shtetëror mbi ligjin dhe pa përgjegjësi politike”, përfundon PLD.

Burimi: Telegrafi