Dy zyrtarë policorë janë dëmtuar si pasojë e një përplasjeje mes automjetit të Policisë dhe një automjeti tjetër në Kamëz. Policia ka sqaruar se, ndryshe nga pretendimet e publikuara në disa media, përplasja nuk ka ndodhur gjatë ndonjë ndjekjeje policore.
Sipas Policisë, automjeti zyrtar ishte duke patrulluar në territorin ku ishte planifikuar me shërbim, kur është goditur nga një automjet që drejtohej nga 26-vjeçari me inicialet R. T. Sipas dyshimeve të para, 26-vjeçari ishte duke lëvizur nga qendra e Kamzës në drejtim të rrugës “Berisha”, kur ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar dy punonjës policie, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në spital. Sipas Policisë, ata janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, 26-vjeçari nuk ka pësuar dëmtime. Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku po kryhen veprimet procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
