Ministria e Mbrojtjes jep përditësimet mbi zjarret: 5 aktive në

0%

34 vatra zjarri janë raportuar në territorin e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të strukturave vendore janë vënë në dispozicion edhe 105 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor. Vatrat aktive janë aktualisht të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër. Në Malin e Dajtit, puna vijon pas riaktivizimit të tre vatrave.

Në zonë janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, së bashku me 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Në qarkun e Dibrës vijojnë aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi. Në Vajkal janë angazhuar 61 forca, mes tyre 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në Sllatinë po operojnë 78 forca, ndërsa në Komsi janë angazhuar edhe 25 efektivë të FA-së. Sipas raportimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në këto zona nuk paraqitet rrezik për banesat dhe zonat e banuara. Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Gjatë ditës së djeshme, ndërhyrje të shumta janë kryer edhe në Tërbaç dhe Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, dy helikopterë dhe një avion Air Tractor. Vatra është tashmë e fikur. Një tjetër ndërhyrje u krye në Xhyrë të Librazhdit, ku u përdor edhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Edhe kjo vatër është deklaruar e fikur.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat dhe mjetet e angazhuara mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të tjera, me fokus mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Burimi: Bota Sot