​“32 milionë euro në rrezik” – Rama kërkon shqyrtim të rastit të

0%

Mbi 32 milionë eurot që rrezikojnë Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) dhe bllokimi i llogarive kanë rikthyer në vëmendje projektin e “Lakrishtës”, për të cilin Komuna e Prishtinës thotë se është iniciuar dhe kontraktuar në vitin 2021, para ardhjes së Përparim Ramës në krye të kryeqytetit.

Në konferencën e sotme për media, drejtuesit e Komunës kanë kërkuar nga Gjykata Supreme shqyrtim të detajuar të rastit, ndërsa kanë ngritur pikëpyetje edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e parcelës në Lakrishtë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama tha se procesi që lidhet me projektin në Lakrishtë është zhvilluar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë dhe se administrata e tij nuk ka qenë pjesë e inicimit, negocimit apo nënshkrimit të kontratës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Rama: Krejt ky proces ka filluar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes “Dua të bëj të qartë se krejt ky proces ka filluar dhe është zhvilluar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë, pra jo gjatë qeverisjes sonë. Prandaj, vendimet janë marrë në vitin 2021 kur unë nuk kam qenë kryetar i kryeqytetit.

Pra, janë marrë me datën 27 prill të vitit 2021, është marrë vendimi nga komisioni i atëhershëm komunal i aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore. Më 17 maj të vitit 2021 është nënshkruar kontrata, më 16 gusht të vitit 2021 është lëshuar leja e ndërtimit, më 5 tetor të vitit 2021 është nënshkruar edhe aneks kontrata.

Pra, është krejt e qartë, ne as nuk e kemi inicuar, as nuk e kemi negociuar, as nuk e kemi nënshkruar” , tha ai Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, tha se Komuna pret që Gjykata Supreme ta trajtojë në mënyrë të detajuar revizionin e NPB-së, duke ngritur një varg çështjesh që, sipas tij, nuk janë shqyrtuar si duhet në procedurat e mëparshme gjyqësore.

Dushi kërkon shqyrtim të ekspertizës: “Projekti nuk kishte hyrë asnjëherë në fazën e ndërtimit” “Konsiderojmë se duhet të përcaktohet se kur, në çfarë mënyre dhe me cilin veprim konkret NPB ka shkëputur apo ka shkelur kontratën. Të konstatohet tejkalimi i kërkesëpadisë, të shqyrtohet ligjshmëria dhe nuliteti eventual i kontratës së lidhur në atë kohë.

Të merren për bazë provat dhe të konstatohet pamundësia objektive e realizimit të kësaj kontrate, të konstatohet mungesa e provimit të fajit, por edhe masat të cilat pala paditëse në këtë rast, i ka ndërmarrë për të minimizuar dëmin, ashtu siç kërkohet me ligj.

Gjithashtu çështje që ndërlidhen me ekspertizën janë se, projekti nuk ishte hyrë asnjëherë në fazën e ndërtimit, nuk ishte ndërtuar asnjë objekt, nuk kishte kontrata konkrete të shitjes me palë të treta, nuk ishte provuar financimi i plotë i projektit, dhe nuk ishte analizuar mundësia reale e shitjes së të gjitha njësive me çmimet e parashikuara.”, tha ai.

Sipas tij, ekspertiza e përdorur në proces e ka trajtuar projektin sikur ai do të realizohej pa asnjë pengesë dhe sikur të gjitha njësitë do të shiteshin me çmimin e parashikuar. Në këtë linjë, Dushi tha se Gjykata Supreme ka hapësirë që ta shqyrtojë rastin dhe të vendosë në përputhje me drejtësinë.

Ndërsa nënkryetarja Besiana Musmurati e ka vënë në pikëpyetje vendimin e Qeverisë së Kosovës të 12 gushtit për shpronësimin e parcelës në Lakrishtë. Ajo tha se një vendim i tillë është marrë në kohën kur rasti është ende në kontest gjyqësor dhe kur, sipas saj, lënda është dërguar drejt Gjykatës Supreme.

Musmurati kërkon hetim për Lakrishtën: Të gjitha pyetjet tona duhet të marrin përgjigje “Pra, në mes të një kontesti pronësor e një lënde që ende nuk ka marrë epilog, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpronësim.

E këtu nuk mundemi pa i shtruar disa pyetje dhe rrjedhimisht se çfarë e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës me i ndihmuar një grupi abuzues që po tenton ta falimentojë një ndërmarrje publike, duke krijuar shpronësim të pikërisht kësaj prone.

A është qëllimi që shpronësimi të kryhet, pagesa nga qeveria të bëhet në ndërmarrje, dhe pastaj kompania private të marrë automatikisht këto mjete nga ndërmarrja? E gjithë kjo në kohën kur vetëm para një jave është dërguar lënda nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Supreme. Pra, këtu po duhet, na duhet një investigim më i thellë dhe të gjitha pyetjet tona duhet të marrin përgjigje”, tha ai.

Ajo kërkoi që të sqarohet se çfarë e ka shtyrë Qeverinë të marrë këtë vendim dhe nëse qëllimi është që kompensimi nga shpronësimi të paguhet në NPB e më pas këto mjete të përfundojnë te pala private përmes procedurës përmbarimore.

Ndërmarrja Publike Banesore ka bërë të ditur se llogaritë e saj bankare janë bllokuar në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë. Sipas NPB-së, kontrata që qëndron në themel të këtij kontesti është lidhur më nga administrata e kaluar dhe ndërmarrja e ka kundërshtuar vendimmarrjen në të gjitha instancat juridike.

NPB ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme më , duke ngritur pretendime për shkelje procedurale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përcaktimin e përgjegjësisë së ndërmarrjes dhe mënyrën e llogaritjes së mbi 32 milionë eurove si fitim i humbur.

Ndërmarrja ka paralajmëruar se bllokimi i llogarive prek drejtpërdrejt mbi 300 punëtorë dhe familjet e tyre, si dhe rrezikon funksionimin e saj si pasuri publike. NPB ka kërkuar nga Gjykata Supreme që të marrë masa sa më shpejt në mbrojtje të interesit publik, ndërsa ka ftuar publikun, mediat dhe institucionet relevante që ta përcjellin rastin.

Burimi: Bota Sot