Mbreti Harald V i Norvegjisë ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Pas vdekjes së tij, djali i tij 53-vjeçar, Princi i Kurorës Haakon, e pason automatikisht në fron. Lajmi u bë i ditur nga Pallati Mbretëror, i cili njoftoi se mbreti ndërroi jetë në paqe në Spitalin Universitar të Oslos, të premten, më 28 gusht, në orën .
Pas njoftimit, flamuri në Pallatin Mbretëror në Oslo u ul në gjysmështizë, ndërsa qeveria shpalli periudhë zie kombëtare deri në ceremoninë e varrimit. Kryeministri Jonas Gahr Støre e cilësoi lajmin si një moment pikëllimi të thellë për të gjithë vendin.
“Një komb i tërë mban zi dhe në të njëjtën kohë mbetet thellësisht mirënjohës për një jetë të gjatë të kushtuar Norvegjisë”, tha ai, duke shtuar: “Mbreti Harald e donte Norvegjinë. Dhe Norvegjia e donte mbretin e saj.” Harald V, i cili mori fronin në vitin 1991, ishte monarku më i vjetër në detyrë në Evropë.
Vitet e fundit ai kishte përballuar disa probleme shëndetësore dhe në gusht u shtrua në spital në Oslo për shkak të anemisë hemolitike. Megjithë problemet shëndetësore, mbreti kishte përjashtuar vazhdimisht mundësinë e abdikimit, duke thënë se kishte bërë një betim për ta shërbyer vendin gjatë gjithë jetës. Vitet e fundit kanë qenë të vështira edhe për familjen mbretërore norvegjeze.
Mbretëresha Sonja, 89 vjeçe, është përballur gjithashtu me probleme shëndetësore, ndërsa familja është përfshirë në disa çështje të bujshme publike dhe ligjore. Me vdekjen e Harald V, Norvegjia hyn në një kapitull të ri të monarkisë së saj, me Princin e Kurorës Haakon që merr drejtimin e fronit.
