Presidenca e Republikës së Kosovës ka përdorur një nga “chatbotët” e inteligjencës artificiale për shkrimin e komunikatës për gradimin e tre gjeneralëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Presidencës, në fund të tekstit ka mbetur një fjali që zakonisht përdoret nga chatbotët gjatë ofrimit të ndihmës për përpunimin e një teksti: “Nëse dëshiron, mund ta bëj edhe pak më institucional dhe më të rrjedhshëm, pa ndryshuar përmbajtjen”. Postimi i plotë: U.D.
Presidentja Haxhiu gradoi tre gjeneralë të rinj të FSK-së Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në ushtrim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, ka dekretuar gradimin e tre kolonelëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gradën Gjeneral Brigade, si dhe emërimin e tyre në detyra të reja.
Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë morën pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në këtë ceremoni, me gradën Gjeneral Brigade janë graduar Arife Halili, Astrit Haliti dhe Mehmet Lladrovci.
Gjeneral Brigade Arife Halili është emëruar Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes, Gjeneral Brigade Astrit Haliti është emëruar Shef i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci është emëruar Komandanti i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë, gjeneralët e sapograduar dhanë betimin para U.D. Presidentes Haxhiu. U.D. Presidentja i përgëzoi gjeneralët për gradimin dhe detyrat e reja, duke u uruar sukses në përgjegjësitë që marrin përsipër dhe në shërbim të mëtejmë ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës.Nëse dëshiron, mund ta bëj edhe pak më institucional dhe më të rrjedhshëm, pa ndryshuar përmbajtjen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
