Korrespodenti i BBC-së: E takova Mlladiqin fanatik e të rrezikshëm në

0%

Komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës” për veprimet e tij gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, ka vdekur në burg, dhe korrespondenti special i BBC-së, Allan Little, ishte në terren gjatë kohës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku do ta takonte Mladiqin në muajt e parë të luftës boshnjake.

BBC-ja ka publikuar të enjten mbrëma () shkrimin e mëposhtëm autorial të Littlet . Natën, në horizont mund t’i shihje flakët e zjarrit të spastrimit etnik. Flakët ishin drita e vetme nën qiellin e natës, dhe lugina në terr do të ndriçohej prej përflakjes së qiellit.

Sytë të kapnin burrat e fshatit tonë duke lëvizur heshtazi hijeve të shtëpive të tyre, gjithsecili i armatosur me ndonjë armë të vjetër të shpëtuar nga luftërat e mëparshme dhe me frikën, dyshimet dhe mosbesimet, të bartura ndër breza. Në një mëngjes sytë më rrokën një turmë burrash e grash që po dilnin nga pylli.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dy ditë më parë dhe ia kishin mbathur me pak tesha e kotesha që ia kishin dalë t’i merrnin me vete. Shumica po ecnin këmbë. Disa ishin syresh të ngjeshur deng në qerret të vjetra bujqësore që tërhiqeshin nga gomarët. Ndoshta ishin 40 mijë persona. Qyteti i tyre i lindjes kishte rënë para pas avancimit të paparalajmëruar serb.

Në mesin e tyre, një burrë mezi po mbahej në këmbët e veta. Burri u ndal që të na fliste. I gjithë qyteti është dëbuar, do të tregonte ai. Vetë ai ishte ndarë nga gruaja e tij në udhëtimin e gjatë drejt një vend më të sigurt dhe tani e kish hallin se plaka nuk ia kishte dalë mbanë. Çehrja e tij tregonte se ishte lodhur e këputur me shpirt, derisa lëkura i ishte zbardhur prej rraskapitjes.

Lodhja ia kishte spikatur tiparet eshtërore të fytyrës.. E pyeta se sa vjeç ishte. Ai më tregoi se i kishte mbushur 80 sosh. “A mund të pyes”, i thashë, “a je kroat a mysliman?” Edhe kur e kujtoj këtë pyetje, turpërohem edhe tani, derisa në mendjen time dëgjoj përgjigjen e tij të jehojë ndër vite. “Unë”, më tha ai, “jam muzicient”.

Pikëpamje jonë e përshtatshme etnike i kish reduktuar ata thjesht në serbë, kroatë e myslimanë. Por ata ishin edhe muzicientë e shkencëtarë, mjekë e hidraulikë, fermerë, e nëna e baballarë, vëllezër e motra, dhe shumë shpesh fëmijë. E takova Mladiqin në atë verë përvëluese, të parën e kohës së luftës në Bosnjë. Ndoheshim në kazermat e Lukavicës në cepin jugor të Sarajevës.

Kazermat ishin vërshuar prej armëve dhe me mburrjet kërcënuese të paramilitarëve. Mund të blije një kallashnikov për nja 200 dollarë, një granatë dore për vetëm një dollar – i njëjti çmim, do ta merrja vesh shumë shpejt, sa kushtonte një vezë taze në qytetin e rrethuar. Ia zgjata dorën dhe ai ma shtrëngoi fort dhe vrik më afroi afër vetes.

Më tregoi se porsa ish kthyer nga vija e frontit në qendër të qytetit të Sarajevës dhe pashë se ishte i entuziazmuar nga luftimeve e afërta drithëruese. Ma mbajti dorën disa minuta, m’i nguli sytë dhe më tha se ishte mbrojtësi i madh i vëllazërisë dhe unitetit në ish-Jugosllavi, dhe se ëndërronte një botë ku nuk do të kish armë e luftë. Atëherë më dukej fanatik. Madje, aso i rrezikshëm.

Në vitet e pastajme, forcat nën komandën e tij do të kryenin krimet më të tmerrshme të luftës në tokën europiane që nga koha e nazistëve. Ata ia lanë fjalorit të luftës një eufemizëm të ri të zi burg- spastrimi etnik. Ata kryen vrasje masive, shfarosje, përdhunime masive, dëbime të dhunshme.

Ata i dogjën fshatrat një nga një, krejt në emër të krijimit të një territori serb etnikisht të pastër në Kroaci e Serbi. Në fund, në Srebrenicë, kryen edhe gjenocid. Dy ditë pasi e takova muzicientin plak në atë shteg me baltë, lufta do të më prekte edhe në lëkurën time –dhe në atë kohë – do të më dërmonte emocionalisht.

Kameramani im, Tihomir Tunukoviq, një djalë të cilin e kisha njohur dhe me të cilin kisha punuar qe tetëmbëdhjetë muaj pa u ndarë, u vra nga një snajperist serb në një kreshtë mbi rrugën nëpër të cilën po udhëtonte me makinë. Po atë mëngjes ishim takuar dhe ndarë. Tunukoviqi ishte ishte 25 vjeç, një filmbërës i ri i talentuar e ambicioz nga Zagrebi.

Ne ia bartëm trupin përsëri përgjatë shtigjeve të rrëpirta malore në qytetin bregdetar të Splitit. Zemrat na u këputën nga dhimbja në varrimin e tij. Mërzia për të na lidhi fort luftën – me impulsin për hakmarrje dhe kundërhakmarrje, që ishin tipare i asaj çfarë po shihnim me sytë tanë.

Gjenerali Mladiq nuk e tërhoqi këmbëzën, por komanda e tij krijoi një atmosferë të shfrenuar lirishmërie veprimi që kushtoi dhjetëra me mijëra jetë njerëzish. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

Burimi: Kallxo