Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka kurorëzuar me medalje të artë paraqitjen e saj në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi në finale mposhti boksieren serbe Kristina Kuluhova.
Menjëherë pas triumfit, Sadiku u shpreh e emocionuar për suksesin, duke ia dedikuar medaljen e artë të gjithë Kosovës dhe duke theksuar se kishte ardhur në Taranto me synimin për ta ngritur sa më lart flamurin e vendit. Sadiku: Medaljen ia dedikoj Kosovës “Së pari, këtë medalje do t’ia dedikoj gjithë Kosovës. Urime Kosovë!
Këtë medalje, thashë edhe më parë në intervista që nuk jam e vetëkënaqur vetëm me të bronztën, kam ardhur për ta ngritur flamurin e Kosovës sa më lart edhe të dëgjihet himni. Kështu që, çka kam folur e kam arritur edhe jam shumë shumë e lumtur” , u shpreh Sadiku menjëherë pas luftës ndaj boksieres serbe.
Sadiku tregoi se kishte hyrë në ring e përgatitur për ta zhvilluar luftën deri në fund dhe se besonte se do ta kontrollonte duelin në të tre raundet. Sadiku: Isha e përgatitur të mos e ndal ritmin deri në fund “Kam besuar që do ta qojë në tre raunde normal si ndeshjet e tjera, sepse me një kundërshtare të mirë nuk mundesh me ndërpre. Mirëpo, qarja e arkadës u desh që me ndërpre nga mjeku.
Mirëpo rezultati në raundin e parë për mua ka qenë 5-0, kjo tregon që unë kam qenë në formë tepër të mirë edhe në qoftë se kishte vazhduar unë nuk kisha ndalur ritmin”, theksoi Sadiku. Për Sadikun, triumfi në Taranto është një tjetër dëshmi e ambicieve të saj në arenën ndërkombëtare.
Pas medaljes së artë në Lojërat Mesdhetare, ajo tashmë i ka vendosur objektivat te Kampionati Evropian, ku synon ta ndryshojë ngjyrën e medaljes së fituar më parë. Sadiku: Tani dua të artën në Evropian “Tani synojmë kampionatin evropian dhe po besoj shumë që nga medalja e bronztë momentalisht që e kam nga kampionati evropian, ta kthejmë në të artë”, tha Sadiku në fund.
Me këtë triumf, Donjeta Sadiku i ka sjellë Kosovës një tjetër sukses të rëndësishëm në Taranto 2026, duke e mbyllur garën në mënyrën më të mirë të mundshme – me medaljen e artë dhe flamurin e Kosovës në podium.
