Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, i cili në cilësinë e deputetit më të vjetër po drejton përkohësisht seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur të mërkurën në një konferencë për media se kallëzimi penal ndaj Deharit është bërë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal.
Sipas PDK-së, Dehari dyshohet se nuk e ka përmbushur detyrën e tij si kryesues i përkohshëm i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, pasi nuk e ka vazhduar seancën brenda afatit prej 48 orësh, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga subjektet opozitare.
Në kallëzimin penal përmenden kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive. Ky është kallëzimi i dytë penal i dorëzuar nga PDK-ja brenda dy ditësh.
Një ditë më parë, partia kishte njoftuar se kishte dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe deputetëve të LVV-së, të cilët, sipas PDK-së, mbajnë njëkohësisht funksione ministrore dhe mandate deputeti.
Ndërkohë, edhe Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me 17 vendime të marra në mbledhjet e Qeverisë në detyrë, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Sipas Aleancës, këto vendime janë të ndaluara me Ligjin për Qeverinë, ndërsa juristët që e përfaqësojnë këtë çështje vlerësojnë se vendimet janë në kundërshtim me ligjin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
