Eva Palatova, shefe në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë është në përfundim të mandatit të saj. Në takimet lamtumirëse që ka mbajtur sot, më , me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo kërkoi formimin e institucioneve dhe tejkalimin e ngërçit politik në Kosovë.
Zyra e BE-së ka njoftuar se Palatova ka kërkuar nga Kurti edhe avancimin e reformave për shfrytëzimin e Planit të Rritjes së BE-së.
“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE.
BE-ja është partneri më i fuqishëm i Kosovës!”- thuhet në njoftimin e kësaj zyreje. Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit Haxhiu-Palatova, u.d presidentja ka falënderuar Eva Palatovën për bashkëpunimin dhe angazhimin e saj gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për proceset me rëndësi në vend. “Gjatë takimit, U.D.
Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe të avancimit të mëtejmë të Kosovës në rrugën e saj evropiane.”- thuhet në njoftimin e Presidencës. Që nga muaji mars 2026 Palatova ka udhëhequr me zyren e BE-së në Kosovë pasi që shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav u largua nga kjo pozitë. Eva Palatova dhe Albulena Haxhiu – – Foto: Presidenca e Kosovës
