Një nxënëse e shkollës së ekonomisë në Prizren ka dorëzuar në Policinë e Kosovës një kuletë të cilën e kishte gjetur. Policia e Kosovës ka njoftuar se nxënësja bashkë me prindërit e saj e kishin dërguar kuletën me paratë dhe dokumentet në stacionin policor. Përmes dokumenteve të identifikimit, Policia ka arritur të kontaktojë me pronarin e kuletës.
“Në portofol gjendeshin të holla dhe dokumente personale të qytetarit. Përmes dokumenteve identifikuese, policia arriti të kontaktojë pronarin, i cili u paraqit në stacion dhe e mori portofolin e tij. Ai shprehu falënderim për aktin e ndershëm të qytetares si dhe për angazhimin e policisë”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka theksuar se ky rast është shembull i përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të shëndoshë ndërmjet qytetarëve dhe policisë, duke dëshmuar se “ndershmëria dhe solidariteti janë vlera që forcojnë besimin dhe sigurinë në komunitet”.
