Ne jemi të prirur që ta shohim artin dhe krijimtarinë si një pështjellim ndjenjash të rrëmujshme. Por, e vërteta është se shumica dërrmuese e gjërave të kësaj bote janë thellësisht të matura e të llogaritura mirë. Ideja e rrëmujës dhe pështjellimit ndjesor besohet më shumë se kudo tjetër kur bie fjala për poezinë. Pastaj rastësisht takohesh me veprën e poetit Lulzim Logu.
Dhe befas e ndjen të pamundur ta përbuzësh mendimin se: poezia është gjeometria e fjalës, siç është të pamët e syrit matësi i dendësisë së dritës. Në poezinë e tij, pas çdo ndjenje të gjallë fshihet një rregullore e mirëmenduar, një mendimtar i heshtur. Ndjenja nuk shpërthen në varg; ajo më parë kalon nëpër një sitë të padukshme, ku mbeten vetëm fjalët që duhen.
Poeti nuk e shpenzon fjalën. Përkundrazi, e kursen atë deri në atë pikë kur një fjalë e vetme fillon të mbajë peshën e një mendimi të tërë. Por çfarë mendimi mund të përcjellë një poet vetëm me tri vargje? Kjo pyetje lind vetiu, kur merr parasysh se pjesa dërrmuese e vëllimit poetik “Pikënisja e mëkatit” është ndërtuar me poezi prej tri vargjesh.
Poetët e vërtetë mjaftohen me një grusht fjalë. Me tre, madje edhe me dy vargje. Ata nuk kanë nevojë ta thonë të gjithë mendimin, sepse e dinë se aty ku mbaron fjala e poetit, fillon puna e lexuesit. Këtu vlen të përmenden dy vargje të Edgar Allan Poe-s: Gjithçka që shohim a që na duket se e shohim, është veçse një ëndërr brenda një ëndrre.
Pra, e thënë në një gjuhë më popullore: kjo botë është e rrejshme. Sigurisht, përmes këtyre dy vargjeve Poe rreket t’i japë përgjigje pyetjes së lashtë filozofike: çfarë është e vërtetë? Dikur Platoni u mundua t’i përgjigjej kësaj pyetjeje përmes dallimit midis pamjes së jashtme dhe së vërtetës më të thellë se ajo që na shfaqet përpara syve.
Më vonë, Dekarti e thelloi dyshimin duke pyetur nëse shqisat tona mund të na japin siguri të plotë për botën që na rrethon. Por ajo që e bën poezinë madhështore nuk është domosdoshmërisht përgjigjja. Shpesh është pikërisht pyetja e lënë pezull. Dy vargje mund të bëjnë atë që nuk arrin ta bëjë një traktat i tërë filozofik: të mbjellin dyshimin dhe të largohen.
Lexuesi mbetet vetëm për vetëm me të. Poe, përmes këtyre dy vargjeve, jo vetëm që ngjall dyshime hamletiane, por ia del që përmes këtij shqetësimi t’i drejtohet mbarë njerëzimit. Në fund të fundit, pyetja nëse ajo që shohim është e vërtetë nuk është vetëm pyetja e filozofit. Është pyetja e mbarë njerëzimit.
Tani le t’i kthehemi vëllimit në fjalë dhe të shqyrtojmë tri vargje: Pëllumbat e butë Përmbytën qytetin Pas krismave që shuhen… Së pari, duke na dhënë tri vargje, në këtë rast poeti tregohet mjaft bujar. Këtë ai e bën qëllimisht, aspak i cytur prej ndjenjave të çastit, por nga mendimi i ngjizur prej kohësh, i cili vetëm pret, e pret, e pret të gjejë fjalët e duhura për t’u shprehur.
Thua se poeti është i gatshëm të presë një jetë të tërë, por që, në të vërtetë, nuk vonon asnjë çast. Trinia e tij, e ndërtuar me një gjeometri të saktë, madje të lakmueshme, është bërthama e mendimit, të cilën poeti nuk denjon ta zhvillojë më tej. Ai e ndal pikërisht aty ku duhet të fillojë lexuesi.
Dhe kjo është ndoshta bujaria më e madhe e poetit: të mos e marrë për dore lexuesin deri në fund të mendimit, por ta lërë vetëm përballë asaj që sapo ka lexuar. Tri vargje, pra, nuk janë domosdoshmërisht një mendim i shkurtër. Nëse poeti do të shtonte edhe një varg, ndoshta do ta varfëronte poezinë. Nëse do të hiqte një tjetër, ndoshta do ta zvogëlonte atë.
Prandaj tri vargjet nuk janë thjesht një zgjedhje tekanjoze. Ato janë një masë. Madje, në njëfarë mënyre, një rregullore e brendshme e poezisë. Mendimi duhet të ftillohet dhe të përfundojë brenda kësaj trinie gjeometrike tashmë të kristalizuar, por kuptimi nuk duhet të përfundojë aty. Përkundrazi, aty ai fillon të zgjerohet. Së dyti, në këtë rast poeti nuk shkruan mendim.
Ai vetëm sa përshkruan një ngjarje, e cila vetvetiu kthehet në rrethanë me pasoja të rënda. Tri vargje, ku poeti qëllimisht e lë mendimin të hapur. Pëllumbat e butë. Që në fjalën e parë kemi diçka që lidhet natyrshëm me paqen. Pëllumbi është një nga shenjat më të vjetra të saj. Por poeti nuk thotë thjesht pëllumba. Ai thotë: pëllumbat e butë.
Sikur të donte ta dyfishonte brishtësinë e kësaj paqeje. Mbiemri i butë e bën atë edhe më të brishtë. Pastaj vjen folja: Përmbytën qytetin. Këtu ndodh përmbysja. Zakonisht qyteti përmbytet nga uji. Këtu përmbytet nga pëllumbat. Paqja, tashmë bëhet thuajse e pazotërueshme. Sikur pas një fatkeqësie të beftë, shfaqet një tufë e pafundme shenjash të bardha. Po pse pas krismave?
Këtu poezia merr një kthesë tjetër. Lufta ka mbaruar. Krismat po shuhen. Por heshtja që vjen pas krismave nuk është domosdoshmërisht paqe. Dhe këtu mbase qëndron, gjithë tragjedia e këtyre tri vargjeve. Krismat shuhen, por pasojat mbeten. Lufta merr fund në fushëbetejë, por jo domosdoshmërisht në ndërgjegjen e njeriut. E kaluara nuk largohet vetëm sepse e tashmja ka filluar.
Dhe pikërisht këtu pëllumbat bëhen kthehen në kujtesë, bëhen shenja e një paqeje që do të vonojë për të ardhur. Prandaj poeti nuk thotë se pëllumbat fluturuan mbi qytet. Ai thotë se e përmbytën atë. Fjala përmbytën është vendosur aty me një saktësi të frikshme. Sepse ajo që përmbyt qytetin pas krismave nuk është vetëm tronditja e paqes, por edhe kujtesa e luftës.
Kjo është arsyeja pse poezia nuk ka nevojë të na tregojë se çfarë ka ndodhur. Ajo nuk përshkruan ushtarë, rrënoja apo varre. Nuk ka emra, nuk ka flamuj, nuk ka kufij. Dhe pikërisht për këtë arsye ajo bëhet më universale. Poeti i kapërcen kufijtë kombëtarë, fetarë dhe kulturorë, duke iu drejtuar mbarë njerëzimit. Sepse lufta, në fund të fundit, ka një gjuhë që kuptohet kudo.
Bota asnjëherë s’ka gjetur paqe të përhershme, por edhe kur e ka gjetur, njerëzit janë ngutur t’ia vrasin atë. Dhe këtu tri vargjet fillojnë të marrin një kuptim tjetër. “Pas krismave që shuhen…” Tri pikat në fund nuk janë të tepërta. Ato janë ndoshta vargu i katërt që poeti nuk e ka shkruar. Ato e ftojnë lexuesin të hamendet, ta shtyjë mendimin më tej.
Pas tyre mund të vijë paqja, por mund të vijë edhe një luftë tjetër. A do të vijë falja apo urrejtja; harresa apo kujtesa. Por në një analizë edhe më të thellë, kuptojmë se poeti nuk është duke folur vetëm për qytetin. Ai po flet për njeriun. Lufta e jashtme përfundon një ditë, por ajo e brendshmja mund të vazhdojë gjatë.
Kam lexuar diku se lufta shkakton dy viktima: të vdekurit dhe të mbijetuarit. Të vdekurit tashmë e kanë parë fundin e luftës. Ata nuk kanë më nevojë të presin paqen. Të mbijetuarit janë ata që duhet ta rifitojnë atë.Ne, të mbijetuarit, duhet të endemi mes përfytyrimeve të shkaktuara prej tmerrit që mbart lufta në vetvete.
Paqja, pra, nuk është thjesht mungesa e luftës, është aftësia për të mos jetuar më me luftën brenda vetes. Kjo botë edhe ashtu e rrejshme, siç do të thoshte Poe, bëhet edhe më e pasigurt kur njeriu kupton se as paqja nuk është e përhershme. Dhe në këtë pikë, dy vargjet e Poe-s dhe tri vargjet e Logut, ndonëse të largëta në kohë, puqen në një pikë.
Të dy poetët na lënë përballë një bote të cilën nuk mund ta marrim ashtu siç duket. Poe na thotë se ajo që shohim mund të jetë vetëm një ëndërr. Logu na thotë se edhe ajo që duket si paqe mund të mbajë brenda vetes jehonën e luftës. Njëri dyshon te realiteti. Tjetri dyshon te qëndrueshmëria e tij.
Dhe të dy, me një numër befasuesisht të vogël fjalësh, na detyrojnë të mendojmë shumë më gjatë nga sa kemi lexuar. Kjo është mrekullia e poezisë së shkurtër. Në fund të fundit, poeti nuk është ai që thotë gjithçka. Poeti i vërtetë është ai që di se ku duhet të ndalet. Prandaj tri vargje mjaftojnë. Ndonjëherë, tri vargje janë shumë më tepër se një poezi.
Janë një botë e tërë, e lënë qëllimisht pa përfunduar. ..
