Renovimi i Teatrit “Adriana” zhvendos Festivalin e Teatrove të

0%

Festivali i Teatrove i Ferizajt e ka shtyrë për një muaj kohën e mbajtjes së edicionit të 56-të, nga 1 deri më 6 tetor, për shkak të nisjes së punimeve për renovimin e ndërtesës së teatrit “Adriana” dhe mungesës së fondeve, megjithëse ka marrë zotimin e Komunës së Ferizajt se festivali do të mbahet pavarësisht sfidave financiare.

Njëherësh, me organizim të përbashkët, do të mbahet edhe edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit të muraleve, “MuralFest”. Aktorët pa “shtëpi” Në majin e sivjetmë ka filluar renovimi i objektit të teatrit “Adriana”, shtëpi e zakonshme e edicioneve të festivalit, pas shpalljes së fituesit të tenderit në vlerë prej 1 milion e 162 mijë eurosh, por kompania ka dy vjet afat për kryerjen e punimeve të kontraktuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Dy vjet pritet të zgjasin punimet restauruese në Teatrin “Adriana”, projekt i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Foto: Kallxo.com Besim Ugzmajli, nga Festivali i Teatrove i Ferizajt, thotë se mungesa e hapësirës së përshtatshme për shfaqjet teatrale dhe mospublikimi i listës së përfituesve të organizatave kulturore të fondeve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit kanë vështirësuar planet dhe organizimin e edicionit të këtij viti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këto sfida kanë shtrënguar organizatorët që t’u kërkojnë trupave konkurruese të aplikojnë me shfaqje me numër të vogël aktorësh pasi shfaqjet do të vihen në sallën e improvizuar të Galerisë së Arteve dhe në sallën e Drejtorisë së Kulturës, ku Komuna e Ferizajt ka nisur vendosjen e skenës dhe rreth një të tretën e karrigeve të sallës së teatrit “Adriana”.

“Absolutisht është sfidë për secilin, dhe na kemi provu me zgjedhë shfaqje me më pak aktorë, ose shfaqje që janë me numër të vogël aktorësh, qysh është Teatri ‘Oda’, qysh janë teatrot tjera alternative, si ‘Barabari’, të cilat edhe në vendin ku kanë punuar, nuk kanë pasur kushte tipike teatri, kështu që adaptohen më lehtë”, ka thënë Ugzmajli për Kallxo.com.

Gazmend Bytyçi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt, ka thënë se qeveria lokale nuk ka pasur mundësi të zotojë mjete financiare për festivalet lokale dhe organizatat joqeveritare sivjet për shkak të lëndëve të pambarimta përmbarimore të lidhura me obligimet financiare të Kontratës Kolektive. “Mjete aktualisht nuk kemi asnjë.

Krejt shërbimet çka i kemi po ua ofrojmë përmes operatorëve. Po flasim për akomodim, sallë, bina, zërim, ndriçim, gjitha të tjerat domethënë.

Janë çështje që jemi zotuar me i marrë përsipër”, ka thënë Bytyçi për Kallxo.com, duke u zotuar se drejtoria e tij kurrsesi nuk do të lejojë të dështojë edicioni i sivjetmë i Festivalit të Teatrove të Ferizajt, MuralFest-i dhe festivali i këngës, “Kosovarja këndon” – tri ngjarjet më të mëdha kulturore të Ferizajt.

Ai ka thënë se nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit ka marrë vetëm mbështetje verbale për përkrahje financiare për festivalin, të shpallur nga qeveria qendrore “vlerë e trashëgimisë kulturore”, derisa kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e kishte vlerësuar festivalin si “krenaria e qytetit”.

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Kallxo.com për vonimin e publikimit të listës përfituese të organizatave kulturore që kanë aplikuar për mbështetje financiare, e as pyetjeve për mbështetjen eventuale për Festivalin e Teatrove të Ferizajt.

Në nisjen ceremoniale të punimeve restauruese, Teatrin “Adriana” e kishte vizituar edhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Krah Kurtit, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, se gjatë kohës sa do të restaurohet objekti, Ministria në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Komunën e Ferizajt kanë zhvilluar hapësira alternative, “ku aktivitetet kulturore do të vazhdojnë të zhvillohen”.

“Kështu që është shumë me rëndësi të themi që aktivitetet kulturore në Ferizaj nuk do të ndalen, por pas përfundimit të ndërhyrjeve pas dy vitesh vetëm do të kemi hapësira edhe më të mira që i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre”, deklaronte Arapi Krasniqi.

Drejtori Bytyçi thotë se Komuna e Ferizajt nuk është mbështetur nga Ministria e Kulturës as për improvizimin e skenës për shfaqjet konkurruese të Festivalit të Teatrove.

“Fuzionimi” me MuralFesti-in Pavarësisht vështirësive, edhe edicioni i këtij viti i festivalit të themeluar më 1970, do t’i nxjerrë aktorët jashtë skenës, duke ofruar përformanca në mjedise të hapura në lokacione të ndryshme në qytet.

Kështu, Festivali i Teatrove i Ferizajt është marrë vesh me organizatorët e edicionit të njëmbëdhjetë të MuralFest-it, që rreth çerekun e organizimeve ta bëjnë bashkërisht. Mural i punuar në objektin e Komunës në edicionin e vitit 2025 të MuralFest-it Fortunë Haziri, nga MuralFest-i, thotë se do të ketë dalje nga kornizat nëpërmjet trekëndëshit “mes artit, lojës dhe qytetarëve”.

Edhe ajo ka thënë se për shkak të gjendjes së vështirësuar financiare, organizata e saj është pajtuar që edicionin e sivjetmë ta mbajë njëkohësisht me Festivalin e Teatrove të Ferizajt. “…dhe jemi pajtuar që të mbahen në të njëjtën periudhë, si dhe të kemi aktivitete të përbashkëta”, ka thënë ajo.

Haziri ka thënë se MuralFest-i është “mësuar” t’i tejkalojë sfidat e organizimit, porse tejkalimi do të ishte më i lehtë ekonomikisht po të kishte zotime zyrtare për përkrahje financiare nga institucionet lokale e qendrore.

“Sa i përket mbështetjes, është e ditur që Komuna e Ferizajt gjendet në krizë financiare, prandaj do jetë më e vështirë të kemi mbështetje financiare direkt nga ata, por që Drejtoria e Kulturës ka shprehur gatishmërinë të na ndihmojë në forma tjera”, ka thënë Haziri, duke treguar se sikurse viteve të kaluara, edhe sivjet boshti i mbështetjes financiare dhe logjistike për MuralFest-in do të jenë donatorët privatë.

Ugzmajli e Haziri thonë se të dy festivalet do të mundohen që nëpërmjet “lojës artistike” përnjëherë t’i bëjnë qytetarët pjesë të drejtpërdrejtë e të tërthortë të festivaleve. “Në këtë periudhë kur kemi mungesë të hapësirave kulturore ne Ferizaj dhe mbështetje ndaj kulturës, bashkohemi për t’i rikthyer qytetit tonë gjallërinë që i mungon”, ka thënë Haziri për Kallxo.com.

Burimi: Kallxo