Ish-sulmuesi i kombëtares angleze, Raheem Sterling, është akuzuar për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe posedim të oksidit të azotit, pas një aksidenti rrugor të ndodhur në një autostradë në jug të Anglisë. Sipas policisë së Hampshire dhe Isle of Ëight, incidenti ndodhi më 28 maj, në autostradën M3, ku një Lamborghini u përfshi në një përplasje me një automjet.
Në aksident nuk u përfshi asnjë mjet tjetër dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Sterling, 31 vjeç, akuzohet gjithashtu për posedim të oksidit të azotit, i njohur ndryshe si “gazi i të qeshurit”, për përdorim të paligjshëm përmes inhalimit, si dhe për refuzim për t’iu nënshtruar testit të alkoolit.
Futbollisti anglez do të paraqitet më 15 shtator përpara një gjykate të shkallës së parë, ku do të zhvillohet seanca për çështjen. Në rast të shpalljes fajtor, Sterling përballet me një dënim që mund të shkojë deri në dy vite burg. Sterling aktualisht është pa klub.
Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur për disa prej skuadrave më të mëdha të futbollit anglez, përfshirë Liverpoolin, Manchester Cityn, Chelsean dhe Arsenalin.
Sezonin e kaluar, sulmuesi u aktivizua te Feyenoord në një marrëveshje afatshkurtër, ndërsa tani e ardhmja e tij sportive mbetet ende e paqartë, në një periudhë kur përballet edhe me problemet ligjore që rrjedhin nga incidenti rrugor.
