Atlético Madrid ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth Julián Álvarez dhe interesimit të Barcelonës për sulmuesin argjentinas. Sipas MARCA, drejtuesit e klubit madrilen janë të irrituar me mënyrën se si është trajtuar çështja dhe besojnë se Atlético është dëmtuar si financiarisht, ashtu edhe në aspektin e imazhit.
“Lojtari po portretizohet si viktimë, por viktimat e vetme në rastin Julián jemi ne”, kanë deklaruar burime brenda klubit. Atlético vazhdon të mbajë qëndrim të prerë se Álvarez nuk do të shitet te Barcelona, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të klubit katalanas.
“Ka 0% shanse të shkojë te Barcelona” Nga Atlético Madridi bëjnë të qartë se nuk bëhet fjalë për çështje financiare, por për një parim. “Ka 0% shanse që ta shesim te Barça. Kjo situatë nuk ka të bëjë me paratë, por me dinjitetin”, raportohet të kenë thënë drejtuesit e klubit.
Sipas tyre, gjatë muajve të fundit është krijuar një situatë e mbushur me “gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta”, ndërsa dëmin më të madh po e pëson Atlético. Klubi madrilen gjithashtu ka ndërmend të përditësojë ankesën e mëparshme, duke përfshirë edhe veprimet që, sipas tyre, janë ndërmarrë nga Barcelona dhe përfaqësuesi i lojtarit, Fernando Hidalgo.
Oferta e rinovimit dhe 150 milionë eurot Atlético pretendon se në mars i kishte ofruar Álvarezit një kontratë të re, e cila do ta bënte atë lojtarin më të paguar të klubit, me pagë që do të rritej nga 7 në 10 milionë euro. Sulmuesi nuk e pranoi ofertën.
Klubi gjithashtu pretendon se kishte vendosur një afat deri më 20 qershor për një ofertë prej 150 milionë eurosh, pa përfshirë komisionet, por kjo ofertë nuk mbërriti asnjëherë në zyrat e Atlético Madridit. Atlético mbështet lojtarin për gjendjen shëndetësore Pavarësisht tensioneve, klubi thekson se do të vazhdojë ta mbështesë Álvarezin në aspektin shëndetësor.
Argjentinasi aktualisht është jashtë për shkak se nuk ndihet mirë dhe Atlético ka vënë në dispozicion të tij ekipin mjekësor, me synimin që ai të rikthehet te skuadra vetëm kur të jetë plotësisht i gatshëm.
Klubi, megjithatë, thekson se çështjet e shëndetit mendor duhet të trajtohen me seriozitet dhe se nuk është e pranueshme që tema të tilla të përdoren në mes të një konflikti transferimi. Ndërkohë, qëndrimi i Atlético Madridit mbetet i pandryshuar: Julián Álvarez nuk do të shitet te Barcelona.
