Imami Naser Tolaj: ISIS-i nuk është Islam, por ekstremizmi nuk

0%

Imami i Isniqit dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan, Naser Tolaj, ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë mbi debatet fetare dhe identitare në Kosovë, duke ngritur shqetësimin për atë që ai e konsideron një klimë gjithnjë e më të polarizuar mes ekstremizmit fetar, provokimeve ndërfetare dhe diskursit antIslam.

Në shkrimin e titulluar “Tri fytyra të devijimit që mbjellin urrejtje, përçarje dhe konfuzion”, Tolaj ndalet fillimisht te ISIS-i, të cilin e shkëput kategorikisht nga Islami dhe tradita e tij fetare. “ISIS-i nuk është Islami. Nuk është Ehli Sunneti. Nuk është xhihadi i Islamit.

Nuk është tradita islame”, shkruan ai, duke argumentuar se organizata terroriste ka instrumentalizuar tekstet fetare për të justifikuar dhunën, vrasjet dhe terrorin. Sipas Tolajt, gabimi që bëhet në debatin publik është gjykimi i një feje përmes veprimeve të atyre që e kanë deformuar atë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për këtë ai u referohet edhe teksteve kuranore dhe traditës profetike, duke e lidhur metodologjinë e ISIS-it me atë të havarixhëve. Por kritikat e imamit nga Deçani nuk përfundojnë me ekstremizmin që vepron në emër të Islamit.

Ai ndalet edhe te fenomeni i konvertimeve fetare në Kosovë, duke bërë një ndarje mes lirisë së individit për të zgjedhur besimin dhe rasteve kur, sipas tij, konvertimi përdoret si platformë për të sulmuar Islamin apo për të provokuar myslimanët. Tolaj thekson se askush nuk duhet të detyrohet të besojë dhe se ndryshimi i fesë është çështje individuale.

Por, sipas tij, situata merr karakter tjetër kur besimi i ri përdoret për të denigruar një komunitet tjetër. Në këtë pikë ai i drejton publikisht një pyetje edhe Ipeshkvisë së Kosovës, duke kërkuar të sqarohet nëse individët që shfaqin një diskurs të tillë përfaqësojnë ose jo krishterimin institucional.

Megjithatë, Tolaj distancohet nga pretendimet e pakonfirmuara se pas konvertimeve mund të qëndrojnë struktura të organizuara të huaja. Ai pranon shprehimisht se nuk ka prova të mjaftueshme për ta pohuar këtë si fakt, por kërkon transparencë për rastet kur debati fetar merr karakter provokues dhe përçarës.

Një tjetër kritikë e fortë e Tolajt drejtohet ndaj një pjese të intelektualëve shqiptarë. Sipas tij, disa prej tyre vazhdojnë ta gjykojnë Islamin përmes një mendësie të trashëguar nga periudha komuniste, ndonëse terminologjia me të cilën artikulohet ky qëndrim ka ndryshuar. “Dikur feja sulmohej në emër të ‘materializmit shkencor’. Sot sulmohet në emër të ‘shqiptarisë’”, shkruan Tolaj.

Ai vë në pikëpyetje edhe kompetencën e personave që japin verdikte për Islamin pa pasur formim në teologji dhe në traditën juridike islame. “Nuk është turp të mos dish. Turp është të mos dish dhe megjithatë të flasësh sikur di”, është një nga mesazhet më të forta të shkrimit të tij.

Në përfundim, Tolaj kërkon që lufta kundër ekstremizmit të mos shndërrohet në luftë kundër fesë apo besimtarëve. “Nuk mund ta luftojmë ekstremizmin islamik duke prodhuar ekstremizëm antislami. Nuk mund ta luftojmë urrejtjen fetare duke prodhuar urrejtje ndaj fesë. Nuk mund ta mbrojmë shqiptarizmin duke i shpallur armiq shqiptarët myslimanë”, shkruan ai.

Sipas Tolajt, Kosova nuk ka nevojë për përplasje mes shqiptarëve mbi baza fetare, por për një debat të mbështetur në dije, drejtësi, dinjitet dhe bashkëjetesë. Ai ka paralajmëruar se ky shkrim është vetëm pjesa e parë dhe se trajtimin e temës do ta vazhdojë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com