Një informacion i pranuar nga Policia se në një shtëpi në Prishtinë mbaheshin armë zjarri ka çuar në një bastisje, gjatë së cilës është zbuluar një arsenal armësh dhe qindra fishekë, raporton ekskluzivisht Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i arrestuar është Mustafa Vitija 72-vjeçar, i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.
Gjithçka ka nisur më 25 gusht, rreth orës , kur Policia ka marrë informacion se në një shtëpi në rrugën “Valentin Pistoli” në Prishtinë ndodheshin armë zjarri. Njësitë policore kanë dalë në lokacion dhe kanë kontaktuar Vitijën, i cili, sipas informacioneve të rastit, u ka deklaruar policëve se posedonte dy pistoleta.
Por kontrolli i shtëpisë ka zbuluar një sasi dukshëm më të madhe armësh dhe municioni. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej gjashtë pistoleta të llojeve të ndryshme, prej të cilave katër raportohet se ishin në defekt, si dhe një pushkë automatike, po ashtu në defekt.
Në mesin e armëve të gjetura figurojnë një pistoletë M57 e kalibrit 7.62 mm, një Browning e kalibrit 7.65 mm, si dhe katër pistoleta të tjera, përfshirë edhe një armë pa numër serik. Por arsenali nuk përfundonte me kaq. Policia ka sekuestruar edhe tetë karikatorë dhe gjithsej 304 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në mesin e tyre ishin 148 fishekë të kalibrit 7.62 mm për AK-47, si dhe municion tjetër për pistoleta dhe armë gjuetie. Pas përfundimit të bastisjes, 72-vjeçari është shoqëruar në stacion dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Me vendim të Prokurorit, Mustafa Vitija është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit. Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
