Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Pas prangosjes, organet e drejtësisë kanë nisur menjëherë veprimet procedurale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë kohës që ishte në arrati.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Ergys Agasi po merret në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), teksa ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, Agasi pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të njihet me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Kujtojmë se në të njëjtin operacion është arrestuar edhe Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, i cili u kap së bashku me Agasin teksa udhëtonin me një automjet në zonën e Plepave në Durrës. Sipas raportimit të Lalës, Shpataraku konsiderohet si person i besuar i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Lala bën me dije se policia po kryhen kontrolle në banesën e Shpatarakut në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë, ku hetuesit po këqyrin dokumente, pajisje elektronike dhe sende të tjera që mund të kenë vlerë për hetimin.
