Autoritetet në Berlin kanë urdhëruar evakuimin e 5600 banesave në një zonë të kryeqytetit gjerman, pas zbulimit të një bombe të Luftës së Dytë Botërore. Policia ka vendosur një perimetër sigurie prej 500 metrash rreth vendit ku u gjet bomba. Brenda kësaj zone ndodhen, mes të tjerash, një shtëpi të moshuarish, një qendër për të pastrehët dhe një çerdhe.
Bomba, me peshë rreth 100 kilogramë, u zbulua në orët e mëngjesit në fundin e një kanali në lagjen Neukölln, pranë Sonnenallee, një prej rrugëve më të frekuentuara dhe tregtare të zonës. Pas zbulimit, bomba u nxor nga uji dhe u vendos në një platformë lundruese.
Sipas policisë, ajo do të transportohet me vinç drejt bregut, ku ekspertët e çaktivizimit të eksplozivëve do të kryejnë procedurat për asgjësimin e saj. Ndërkohë, operacioni për evakuimin e banorëve ka nisur dhe pritet të zgjasë disa orë.
Autoritetet kanë parashikuar gjithashtu ambiente të përkohshme për strehimin e banorëve që janë detyruar të largohen nga banesat e tyre deri në përfundimin e operacionit.
