A ishte, në fund të fundit, Mbreti Artur i vërtetë?

0%

Studiuesit kanë argumentuar prej kohësh se udhëheqësi legjendar ishte pikërisht i tillë – një legjendë. Por, një histori e re e Mesjetës së Errët sugjeron të kundërtën. Nga: Francis Young / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Tintageli është vend i zymtë dhe i largët.

Kërkohet një vendosmëri për të arritur në këtë fshat në bregdetin verior të Kornuollit: turistët duhet të largohen prej rrugëve kryesore që çojnë drejt diellit dhe sërfit. Por, kjo nuk i pengon ata që tërhiqen nga legjenda e Mbretit Artur.

Që nga shekulli XII, kështjella mbresëlënëse është mitizuar si vendi i ngjizjes së tij; një shpellë nëpër të cilën mund të ecësh kur zbatica është e ulët, mban emrin e magjistarit legjendar të Arturit, Merlinit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kujtimi i Arturit (dhe çështja e ekzistencës së tij) ngrihet mbi Tintagel në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – në formën e skulpturës prej bronzi, tetë këmbë të lartë [2.43 metra], të Rubin Eynonit, po aq e joreale dhe eterike sa vetë legjenda.

Historianët kanë hedhur idenë se Tintageli dikur ishte një qendër e rëndësishme mbretërore Foto: Matt Cardy/Getty Images Prej kohësh ka qenë në modë të vihet në pikëpyetje nëse Arturi ka qenë ndonjëherë person real – në të vërtetë, skepticizmi i tillë është praktikisht ortodoksi akademike.

Por, në [librin] Tyrants and Traders [ Tiranë dhe tregtarë ] – një histori e periudhës së hershme mesjetare të Britanisë – Ken Dark është i gatshëm ta lëkundë këtë prirje, të paktën deri diku. Mungesa e burimeve, argumenton ai, nuk i asgjëson plotësisht dëshmitë për mbretin.

“Artur” ishte një emër relativisht i rrallë në Britani dhe fakti që nisi të shfaqej si emër për meshkuj mbretërorë, madje që nga gjysma e dytë e shekullit VI e tutje, sugjeron se pas kësaj vale qëndronte një person real.

Pretendimi i dëgjuar shpeshherë se Arturi është thjesht “trillim”, shpërfill gjithashtu problemin e sikletshëm se nuk kemi asnjë dëshmi me të cilën britanikët e shekullit V shkruanin letërsi spekulative – dhe as ndonjë arsye për të menduar se e bënin këtë.

Skulptura prej bronzi e Rubin Eynonit, “Galosi”, tetë këmbë e lartë, u vendos në vitin 2016 në Kështjellën Tintagel në Kornuoll Foto: Education Images/Universal Images Group via Getty Images Aq e errët është epoka në të cilën Arturi (ndoshta) jetoi, saqë historianët dhe arkeologët nuk janë të sigurt as se si ta quajnë.

Periudha, e cila shpesh përshkruhet se shtrihet nga fundi i Britanisë romake në vitin 410 deri te pushtimi i anglo-saksonëve rreth vitit 577 dhe krijimi i mbretërive të tyre, dikur quhej Mesjeta e Errët (një term që është bërë jopopullor, por që i referohet errësirës së dëshmive dhe jo mungesës së kulturës apo arritjeve njerëzore).

Por, sot ajo quhet më shpesh “post-romake”, “sub-romake” ose “arturiane” për ata me prirje më romantike. Nuk ka kronologji të përcaktuar qartë, sepse sundimi romak vazhdoi në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në Uells.

Burimet tona kufizohen në një grusht tekstesh të mirënjohura nga autorë si Gildasi, Beda, Neniu dhe Patriku dhe, deri vonë, periudha post-romake ishte mjaft e padepërtueshme edhe për arkeologët. Por, përparimet në arkeologji po e ndryshojnë këtë.

Nëse interpretimi arkeologjik shpesh është përqendruar rreth një vendi të vetëm e të famshëm (Stounhenxh për Epokën e Bronzit; Bath për romakët), Tintageli është bërë simboli i arkeologëve të epokës post-romake.

Tintageli është bërë simboli i arkeologëve të epokës post-romake Foto: Matt Cardy/Getty Images Në shekullin XX, nën mistrinë e Ralegh Radfordit u zbulua një qendër tregtare e Mesjetës së Errët. Kohët e fundit, historianët kanë hedhur idenë se Tintageli ishte qendër e rëndësishme mbretërore, ndoshta një lloj kryeqyteti i mbretërisë së Dumnonisë (Devoni dhe Kornuolli i sotëm).

Në një ishull të përfshirë nga luftërat e brendshme dhe ndëretnike, kishte më shumë kuptim të vendoseshe në një kep të shkretë – edhe nëse kjo nënkuptonte të përballeshe me një det të rrezikshëm.

Gjithçka tjetër që dimë për periudhën vjen nga një numër i vogël burimesh, si De Excidio et Conquestu Britanniae [ Mbi shkatërrimin e Britanisë ] i Gildasit, një denoncim i fuqishëm i korrupsionit të Britanisë (dhe i fatit të saj nën saksonët pushtues).

Është e vështirë t’i përcaktohet data, por na jep një tablo të gjallë të politikës dhe fesë përçarëse të Britanisë së Mesjetës së Errët, së bashku me pesë mbretër (të krahasuar me një luan, një leopard, një ari dhe një dragua), të cilët Gildasi i dënon ashpër për shkelje të betimeve, sakrilegj, vrasje, kurvëri, tradhti bashkëshortore dhe mashtrim.

Beda, ndërkohë, na tregon se komuniteti i britanikëve ishte i shpërndarë në diasporë, nga Skocia jugore në Veri deri në Bretanjë dhe Galici në Jug. Ishte lidhja me Bretanjën ajo që shpjegon përse frëngjishtfolësit mesjetarë shumë shpejt nisën të tregonin histori për Arturin.

Darku ka një kandidat të mundshëm për Arturin – Arturi, i biri i Pedrit, një pjesëtar i rangut të ulët i familjes mbretërore uellsiane të shekullit VI, i cili do të kishte qenë në moshën e duhur për të fituar një betejë në vitin 537 (një nga të dhënat më të besueshme për një betejë ku përfshihej Arturi).

Por, edhe nëse jo të gjithë lexuesit binden, pohimi i përgjithshëm i Darkut se ka ekzistuar një Artur prej mishi e gjaku do të mbetet ende bindës.

Libri arrin një ekuilibër të rrallë mes përcjelljes, nga njëra anë, të natyrës shpesh të paqartë dhe të debatueshme të interpretimit arkeologjik dhe, nga ana tjetër, mbajtjes së rrëfimit të kuptueshëm për lexuesin e gjerë. nTyrants and Traders trajton në mënyrë inteligjente disa çështje të debatueshme, merret në mënyrë gjithëpërfshirëse me kërkimet më të fundit arkeologjike dhe parashtron disa hipoteza intriguese – ndonëse në fund të fundit të paprovueshme, për epokën historike më misterioze të Britanisë.

Burimi: Telegrafi