Tre persona janë arrestuar pasi policia sllovake tha se ka parandaluar një sulm të planifikuar me zjarrvënie në një objekt prodhimi të dronëve në lindje të Sllovakisë. Sipas policisë, dy persona u arrestuan në Sllovaki, ndërsa i treti u arrestua nga autoritetet gjermane, pas lëshimit të një urdhër-arresti evropian.
Të dyshuarit dyshohet se po përgatitnin sulmin “si bashkëpunëtorë, me urdhër të personave të tjerë”. Policia tha se asnjëri prej të arrestuarve nuk ishte shtetas sllovak. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga shërbimet inteligjente të Sllovakisë. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur emrin e kompanisë që prodhon dronët.
Policia tha se nëse sulmi do të realizohej, mund të shkaktonte një zjarr të përmasave të mëdha, të rrezikonte jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe të shkaktonte dëme të konsiderueshme. Sipas autoriteteve, rreth 70 punëtorë mund të ndodheshin në objekt në momentin e sulmit.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një sasi të madhe të përzierjes ndezëse, mjete pune, telefona celularë, një kamerë aksioni dhe një plan të vizatuar me dorë. Hetimet për rastin janë ende duke vazhduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
