Studimi për kancerin e rektumit jep shpresë për trajtim pa operacion

0%

Një studim i madh ndërkombëtar ka treguar se pacientët me kancer të hershëm të rektumit mund të shmangin operacionin e madh dhe vendosjen e qeses së kolostomisë, falë një kombinimi të kimioterapisë dhe radioterapisë, raporton BBC. Studimi STAR-TREC, i udhëhequr nga Universitetet e Leeds dhe Birmingham, përfshiu më shumë se 400 pacientë në qendra të kancerit në Evropë.

Rezultatet, të publikuara në “Lancet Oncology” dhe të financuara nga Cancer Research UK, sugjerojnë se trajtimi për ruajtjen e organit mund të jetë alternativë reale për shumë pacientë me kancer të hershëm të rektumit.

Zakonisht, këta pacientë i nënshtrohen një ndërhyrjeje komplekse, të njohur si ekscizioni total i mezorektumit (TME), gjatë së cilës hiqen rektumi, indi dhjamor përreth dhe nyjet limfatike. Edhe pse ka shkallë të lartë suksesi, operacioni mund të ndikojë ndjeshëm në jetën e pacientëve dhe të kërkojë kolostomi të përkohshme ose të përhershme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në studim, për deri në 12 muaj, katër në pesë pacientë që morën kimioterapi dhe radioterapi shmangën operacionin e madh, krahasuar me tre në pesë pacientë që morën vetëm radioterapi. Pacientët u ndoqën për 30 muaj, ndërsa rezultatet afatgjata pritet të publikohen në vitin 2027. Ata te të cilët trajtimi nuk e zhduku plotësisht kancerin iu nënshtruan më pas operacionit.

Një prej pacientëve ishte 65-vjeçari Hugh Chown nga Harrogate, i cili u diagnostikua pasi vuri re gjakderdhje të herëpashershme. Mjekët i thanë se trajtimi standard do të ishte operacioni dhe se kishte shumë gjasa të përfundonte me kolostomi të përhershme. Ai zgjodhi të merrte pjesë në studim dhe iu nënshtrua pesë javë radioterapi, krahas tabletave dy herë në ditë.

Chown tha se efektet anësore ishin kryesisht lodhje dhe se u zhdukën plotësisht pas rreth gjashtë muajsh. Kontrollet e mëvonshme treguan se kanceri ishte zhdukur. Profesori David Sebag-Montefiore tha se rezultatet tregojnë se një trajtim më i zgjuar dhe më i butë me radioterapi mund t’u mundësojë pacientëve të shmangin operacionet e mëdha.

Profesori Simon Bach tha se për dekada pacientëve u është kërkuar të pranojnë humbjen e rektumit si “çmimin” për shërimin e kancerit, ndërsa rezultatet e reja sugjerojnë se ky çmim mund të mos jetë më i nevojshëm për shumë pacientë.

Cancer Research UK e cilësoi studimin si një përparim që mund të ndryshojë jetën për mijëra njerëz, veçanërisht pasi zbulimi i hershëm i kancerit të zorrës së trashë dhe rektumit po rrit mundësitë për trajtim më efektiv.

Burimi: Bota Sot