Në protestën e 87-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, aktivisti Arben Kola iu drejtua Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i kërkuar të veprojë dhe arrestojë zyrtarët e lartë politikë.
Kola tha se SPAK-u dhe institucionet e drejtësisë të mos bëhen pjesë e sistemit politik që ai e cilësoi të kalbur, por të nisin arrestimin e zyrtarëve të lartë, duke nisur nga Edi Rama. “Mundësoni revolucionin paqësor.
Në javën e parë të shtatorit presim arrestimet e para në hierarkinë e lartë politike, duke filluar me Edvin Ramoviçin, përndryshe do të bëheni palë me sistemin e kalbur politik 35-vjeçar” , tha ai. Ai i bëri thirrje SPAK-ut që të veprojë sa më shpejt, duke thënë se: “Të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga ju”.
Arben Kola: Edhe një herë thirrje për institucionin e SPAK-ut, prokurorët dhe gjykatësit, mundësoni revolucionin paqësor. Në javën e parë të shtatorit presim arrestimet e para në hierarkinë e lartë politike, duke filluar me Edvin Ramoviçin, përndryshe do të bëheni palë me sistemin e kalbur politik 35-vjeçar. SPAK, veproni sa më shpejt, që të bëni të mundur revolucionin paqësor.
Të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga ju. Ne nuk do të lejojmë të shitet as një copë truall, as të copëtohet apo t’i jepet dikujt. Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e tradhtarëve. Prandaj, kjo betejë duhet të vazhdojë pavarësisht fjalëve, akuzave apo thashethemeve nëpër kafe se jemi të shitur. Kjo betejë është beteja e shqiptarëve për t’i thënë kësaj klase politike: shporruni.
Ne nuk ju duam më, shporruni para se shqiptarët t’ju marrin me shkelma.
