Real Madridi po e vazhdon strategjinë e tij për t’i kërkuar talentet më të mira të reja në arenën ndërkombëtare. Sipas asaj që raporton mediumi spajoll “AS”, klubi spanjoll është pranë mbylljes së transferimit të Oscar Naasei Oppong, mbrojtësit ganez të lindur në vitin 2005, i cili pritet t’i bashkohet Castillas, skuadrës së dytë të “Los Blancos”, të drejtuar nga Julián López de Lerma.
Lojtari, i cili aktualisht është nën kontratë me Granadan, pritet të transferohet përfundimisht në kryeqytetin spanjoll. Klubi andaluzian e kishte blinduar mbrojtësin me një kontratë deri në vitin 2028, por Real Madridi e kishte shfaqur interesimin e tij që sezonin e kaluar dhe tani është gati të përshpejtojë për ta siguruar kartonin e tij.
Naasei Oppong, 21 vjeç, konsiderohet një profil shumë interesant për shkak të fleksibilitetit dhe karakteristikave të tij fizike. Me një gjatësi prej 1.85 metrash, ganezi mund të luajë si mbrojtës qendror, ashtu edhe si mbrojtës i djathtë. Pikërisht ky shumëfunksionalitet e ka tërhequr vëmendjen e skautëve të Real Madridit.
Operacioni është pjesë e strategjisë tashmë të konsoliduar të “Los Blancos”, të cilët gjithnjë e më shumë po përpiqen ta parandalojë konkurrencën dhe të investojë te të rinj me potencial të madh zhvillimi.
Pas afrimit të disa talenteve gjatë viteve të fundit, klubi madrilen dëshiron të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen përmes Castillas, e konsideruar si një etapë shumë e rëndësishme për t’i përgatitur lojtarët për kalimin drejt ekipit të parë. Naasei Oppong pritet të jetë një tjetër investim për të ardhmen e “Mbretërve”.
