Ka përfunduar protesta e 87-të qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pas një tjetër mbrëmjeje të shoqëruar me fjalime, marshim dhe thirrje kundër qeverisë. Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar protestën me marshimin e përditshëm nëpër rrugët e Tiranës.
Protestuesit janë drejtuar fillimisht drejt Sheshit “Nënë Tereza”, më pas në drejtim të stadiumit “Air Albania”, duke vijuar lëvizjen drejt Rrugës së Elbasanit. Në vijim, turma është rikthyer sërish, duke u drejtuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para Kryeministrisë, aty ku zhvillohet çdo ditë protesta.
Gjatë gjithë marshimit nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Mes tyre është përsëritur edhe kërkesa “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa qytetarët kanë shprehur vendosmërinë për të vijuar protestën. Në përfundim të tubimit, protestuesit kanë përsëritur thirrjen që tashmë është kthyer në refren të përditshëm të kësaj qëndrese: “Nesër më shumë!”
