Lorik Ilazi para sfidës si finale me Turqinë: E njohim shumë mirë

0%

Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra po tregon paraqitje të mira në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Në tri ndeshjet e para, Kosova ka regjistruar dy fitore. Vashat tona triumfuan 3:0 ndaj Algjerisë dhe 3:1 kundër Maqedonisë së Veriut, ndërsa humbjen e vetme deri më tani e kanë pësuar nga Greqia, me rezultat 3:0.

Pas tri ndeshjeve, Kosova renditet aktualisht në vendin e tretë me 6 pikë. Me pikë të njëjta është edhe Greqia, e cila kryeson renditjen, ndërsa në vendin e dytë është Turqia. Kosova Selektori Lorik Ilazi, i cili me këto dy fitore po shkruan një faqe të veçantë në historinë e sportit të Kosovës.

Ilazi është selektori i parë në një sport kolektiv të Kosovës që ka arritur të regjistrojë dy fitore në Lojërat Mesdhetare. Ilazi ka folur për pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, paraqitjet e ekipit, atmosferën në skuadër dhe synimet për ndeshjet e radhës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Për ne, pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare është një përvojë krejtësisht e re, pasi Kosova po paraqitet për herë të parë në këtë garë në volejbollin e femrave.

Kjo është një mundësi shumë e vlefshme për t’u përballur edhe me kombëtare nga kontinente të tjera, diçka që, për shkak të sistemit të garave ku marrim pjesë, e kemi pothuajse të pamundur gjatë sezonit të rregullt evropian”, t hotë Ilazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ilazi tha se kjo garë është shumë e rëndësishme, duke dhënë arsyet e tija: “Kjo garë është shumë e rëndësishme për ne edhe për një arsye tjetër. Lojërat Mesdhetare po zhvillohen në të njëjtën periudhë me Kampionatin Evropian dhe, për këtë arsye, disa shtete nuk kanë ardhur me përbërjet e tyre të para.

Megjithatë, këtu janë lojtaret që bëjnë pjesë në listat e gjera të kombëtareve, si dhe talentet e reja që përfaqësojnë të ardhmen e vendeve të tyre. Prandaj, niveli i garës vazhdon të jetë shumë i mirë dhe përballja me këto ekipe për ne është një test i rëndësishëm dhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillim”. Sipas Ilazit, kombëtarja është në një ritëm të shkëlqyeshëm.

“Kombëtarja jonë është në një ritëm të shkëlqyer këtë vit. Në Lojërat Mesdhetare kemi realizuar dy fitore në tri ndeshjet e para, ndërsa më herët shënuam edhe një fitore historike në Ligën Evropiane, duke e mposhtur Malin e Zi me rezultat të pastër 3:0.

Fakti që Kombëtarja e Malit të Zi, pothuajse me të njëjtën përbërje, po paraqitet tani në Kampionatin Evropian, dëshmon më së miri ngritjen, zhvillimin dhe shpërthimin që ka bërë Kombëtarja e Kosovës gjatë këtij viti. Neve na u dha një mundësi e madhe dhe ne e shijuam dhe e shfrytëzuam në mënyrën më të mirë të mundshme.

Erdhëm këtu, luftuam me nder dhe me krenari për ngjyrat e Kosovës dhe treguam se e meritojmë të jemi pjesë e niveleve të tilla. Me paraqitjet, karakterin, luftën dhe rezultatet tona, besoj se e kemi arsyetuar plotësisht besimin që na është dhënë” , ka nënvizuar Ilazi. Sfida me Turqinë është vendimtare për dy vendet e para. Përballja luhet nesër në orët e mesditës (14.00).

“Tani na pret ndeshja kundër Turqisë. Do të hyjmë në fushë me vetëbesimin dhe ritmin që na kanë dhënë rezultatet e deritanishme. E njohim shumë mirë forcën e kundërshtarit dhe e dimë se Turqia është një nga pretendentet kryesore për medalje, por edhe ne kemi synimet tona. Do të luftojmë për çdo top dhe për çdo pikë, pa u dorëzuar në asnjë moment, deri në fishkëllimën e fundit.

Duam të tregojmë edhe një herë karakterin, shpirtin luftarak dhe vlerat e kësaj Kombëtareje. Do ta respektojmë maksimalisht kundërshtarin, por do të besojmë fuqishëm te vetja dhe te mundësitë tona. Përveç rezultateve sportive, kjo garë përfaqëson për ne një shkollë të madhe, një përvojë të jashtëzakonshme dhe një hap shumë të rëndësishëm në ngritjen e volejbollit kosovar.

Për këtë dua ta falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Volejbollit të Kosovës, veçanërisht presidentët Ismet Krasniqi dhe Bahri Gjinovci, të cilët besuan tek ne dhe na mundësuan të jemi pjesë e kësaj skene të madhe sportive. Komiteti Olimpik i Kosovës meriton mirënjohjen dhe vlerësimet më të larta për punën madhështore që ka bërë.

KOK-u ka krijuar kushte të jashtëzakonshme që sportistët tanë ta përfaqësojnë vendin me dinjitet dhe të ndihen plotësisht të barabartë me sportistët e shteteve shumë më të mëdha dhe me traditë shumë më të gjatë sportive.

Fakti që Kosova është paraqitur në këto Lojëra me delegacionin më të madh në historinë e saj është një arritje e jashtëzakonshme dhe një dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe investimit të KOK-ut në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Në Fshatin Mesdhetar të rritet zemra kur e sheh flamurin e Kosovës dhe sportistët tanë në çdo cep, duke garuar me krenari, dinjitet dhe pa asnjë kompleks përballë shteteve shumë më të mëdha . Për këtë organizim të shkëlqyer dhe për këtë prezantim madhështor të vendit tonë, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe presidenti Ismet Krasniqi meritojnë çdo lavdatë.

Ne u përpoqëm që besimin e dhënë ta kthejmë me luftë, rezultate dhe përfaqësim dinjitoz. Kjo është ajo që i duhet Kosovës: të tregojmë para të gjithëve se po rritemi, po përparojmë dhe se Kosova evropiane po vjen fuqishëm”, ka përfunduar Ilazi.

Burimi: Bota Sot