“Kur udbashët dhe spiunët bëhen “zë” i opinionit publik”

0%

Gazetari Gëzim Mekuli ka reaguar pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh dhe shantazh. Mekuli ka ngritur pikëpyetje mbi hapësirën mediatike që, sipas tij, i është dhënë Shehollit ndër vite si analist dhe ekspert.

Ai ka thënë se, nëse pretendimet e Prokurorisë vërtetohen në gjykatë, çështja duhet të shihet edhe si përgjegjësi e mediave që i kanë dhënë hapësirë dhe autoritet. “Pyetja që duhet t’u bëhet sot mediave shqipe është: kujt i kanë shërbyer mikrofonat tuaj?”, ka shkruar Mekuli.

Shkrimi i plotë në Facebook: Kur udbashët dhe spiunët bëhen “zë” i opinionit publik Prokuroria Speciale e Kosovës paska ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për “spiunazh” dhe “shantazh”, duke pretenduar se ai ishte rekrutuar nga BIA serbe dhe se kishte mbledhur e përcjellë informacione për zhvillimet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por pyetja ime më e madhe nuk është vetëm çfarë ka bërë një njeri. Pyetja është: si u bë ky njeri për kaq gjatë një “ekspert”, një “analist” dhe një zë që ftohej me salltanete në studio televizive e portale?

Fjala e tij prezantohej si argument; Mendimi i tij shitej si analizë; Deklaratat e tij citoheshin dhe hynin drejtpërdrejt në formësimin e opinionit publik… pra, Serbia në formësimin dhe ndikimin e mendimit tonë kolektiv.

Asgjë e re, të dashur lexues; Këtë problem e kam ngritur që në vitin 2001 përmes trajtesave, kritikave dhe librave shkencorë: “Mediat dhe Politika” 2003 dhe “ Fjalimet që përgjakën Ballkanin” 2021; libra të censuruara nga mafia mediatike, universitare dhe politike e Kosovës.

Të dashur lexues, Nëse pretendimet e Prokurorisë provohen në gjykatë, atëherë kemi përballë një fakt tronditës: një person që dyshohet se punonte për Serbinë, mund të ketë pasur qasje të privilegjuar në hapësirën mediatike shqiptare dhe ndikim në mënyrën se si publiku e perceptonte Kosovën, politikën dhe shqiptarët brenda Kosovës… Kjo nuk është vetëm çështje e një njeriu.

Është edhe çështje e mediave që i dhanë mikrofon, autoritet dhe legjitimitet. Sepse propaganda nuk ka nevojë gjithmonë të shkruhet nga propaganda. Mjafton që dikush ta përsërisë atë në një studio televizive dhe media t’ia japë statusin e “analistit”.

Dhe pyetja që duhet t’u bëhet sot mediave shqipe është e thjeshtë: kujt dreqi i kanë shërbyer mikrofonat tuaj; publikut shqiptar apo interesave të Serbisë së moçme? Shënim: Sheholli gëzon pafajësinë derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Burimi: Bota Sot