Me rastin e vdekjes së politikanit Eqrem Kryeziu, udhëheqës institucionesh e liderë partiakë kanë shprehur ngushëllime. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dërguar telegram ngushëllimi te familja Kryeziu. “Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegram.
Haxhiu ka shkruar se Kryeziu përveç se profesor dhe njeri i letrave, edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë e mënyrë të veçantë të të shprehurit. “Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti.
Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, shkroi Haxhiu në telegram. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar se herën e fundit u takuan në shtëpinë e Kryeziut në Prizren nga fundi i dhjetorit 2025. “Diskutuam shtruar e këndshëm për atë ç’ka qenë dhe si është Kosova.
Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede.”- ka thënë Kurti. Ai ka shkruar se Kryeziu ishte përherë në shërbim të Prizrenit dhe se ka dhënë kontribut të madh në arsim e akademi.
Sipas Kurtit, libri “Poetika e Zef Skiroit” të cilin Kryeziu ia dhuroi, është i jashtëzakonshëm. “Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë.”- ka shkruar Kurti.
Presidentja e gjashtë e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu ka shkruar se Kryeziu ishte intelektuali që i dha sharm demokracisë. Ajo ka thënë se Kryeziu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën politike në Kosovë për dekada me radhë. “Do të kujtohet për mendjen e mprehtë, kulturën e rrallë, humorin karakteristik dhe qëndrimet e tij të guximshme.
Për shumë prej nesh që filluam angazhimin politik në moshë shumë të re, do të kujtohet edhe për përkrahjen e tij dhe inkurajimin e çdoditshëm në përballjen me sfidat e politikës.”- ka shkruar Osmani, derisa u shprehu ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve e qytetarëve të Prizrenit dhe mbarë Kosovës.
Ramush Haradinaj, deputet i zgjedhur e ish-kryetar i Aleancës ka shkruar se vendi humbi intelektual të shquar, profesor të përkushtuar të letërsisë dhe burrë shteti që la gjurmë në proceset e shtetndërtimit. “Me Profesorin kemi pasur një miqësi të kahershme dhe respekt të ndërsjellë.
Ka qenë një intelektual i guximshëm, i cili nuk ka ngurruar kurrë të flasë hapur apo të përkrahë njerëz e procese përtej vijave të partisë së tij, gjë që e bënte një politikan të veçantë në Kosovë.”- ka shkruar Haradinaj. Haradinaj ka thënë se Kryeziu do të kujtohet për profilin e tij intelektuar, qytetarinë dhe kontributin në arsim e politikë.
Ai u shprehu ngushëllime familjes Kryeziu dhe të gjithë atyre që e njohën. Për vdekjen e Eqrem Kryeziut ka shkruar fillimisht kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Abdixhiku shkroi se Kosova humbi një intelektual të shquar, veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.”- shkroi Abdixhiku. I pari i LDK-së shkroi se si Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së e bashkëudhëtar i Ibrahim Rugovës.
“Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.”- ka shkruar Abdixhiku.
Në emrin e LDK-së dhe të vetin, Abdixhiku u shprehu ngushëllime familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit, derisa Eqrem Kryeziun e falënderoi për kontributin dhe gjurmët që ka lënë.
Eqrem Kryeziu ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Komunës së Prizrenit, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi dy dekada ka udhëhequr degën e LDK-së në Prizren.
